Agjencia prestigjioze e kreditimit, Standard and Poor’s përmirësoi vlerësimin e borxhit të Shqipërisë nga B në B+ me perspektivë stabël.
Përmes një njoftimi zyrtar, gjigandi botëror i vlerësimeve financiare deklaroi se përmirësimi i notës për borxhin e Shqipërisë reflekton besimin se performanca fiskale e vendit do të jetë e fortë gjatë 4 viteve të ardhshme nën programin e bashkëpunimit me FMN.
“Ne besojmë se deficit fiskal i Shqipërisë është në një trajektore rënëse, e cila do të çojë një ulje graduale të borxhit publik nga 70 për qind e prodhimit kombëtar, që është aktualisht, në rreth 60 për qind në vitin 2019”, thuhet në njoftimin zyrtar të kompanisë.
Sipas ekspertëve të Standard and Poor’s, pavarësisht performancës së dobët në mbledhjen e të ardhurave, gjatë vitit 2015, deficiti buxhetor rezultoi më i ulët nga sa vlerësonte kjo kompani për shkak të shpenzimeve më të ulëta të qeverisë, veçanërisht tek investimet.
“Për të përmirësuar mbledhjen e të ardhurave, në të ardhmen qeveria është duke forcuar institucionet financiare dhe menaxhimin e financave publike. Përpjekjet kanë qenë veçanërisht të suksesshme në fushën e energjisë duke rritur të ardhurat dhe çliruar burimet për buxhetin e qeverisë,”, vijon raporti.
Standard and Poor’s vlerëson se marrëveshja me FMN do te shërbejë si një shtyllë e fortë, jo vetëm për konsolidimin e financave publike, por edhe kryerjen e reformave të rëndësishme strukturore në disa fusha përfshirë atë të drejtësisë.
Sipas gjigandit të shërbimeve financiare, ekonomia shqiptare do të rritet mesatarisht me 4 për qind në vit për periudhën 2016-2019, për shkak të kontributit më të madh të kërkesës së brendshme.
Përmirësimi i vlerësimit është një reklamë e mirë për Shqipërinë jo në tregjet e huaja financiare, por edhe në sytë e investitorëve të huaj duke ngritur imazhin dhe besimin e ekonomisë.
Top Channel