Rama mbron reformat në shëndetësi

05/02/2016 15:55

Nga Berati, ku Partia Socialiste pranoi anëtarë të rinj në radhët e saj, Kryeministri Rama mbrojti arritjet që janë shënuar, duke veçuar ato në shëndetësi, si kontrollin falas apo hemodializën që tashmë ofrohet në disa qytete.

Rama tha se nuk kemi kohë të humbim, por duhet të vazhdojmë me reformat.

Viroza e stinës që i ka prodhuar një çjerrje të lehtë zëri, nuk e pengoi Edi Ramën të shkonte në Berat për anëtarësimet e reja në kuadër të hapjes së PS, por për “virusin” e diskutimeve mes socialistëve që lidhet me punësimet, kryeministri dha këtë përgjigje:

“Nuk mund të jetë ky debati në organizatat e Partisë Socialiste. Kush realisht do të punojë, mund të punojë. Sot ministri e tha që janë 26 mijë e disa qindra vende të reja pune në zyrat e punës. Nuk mund të punësohen të gjithë në shtet, është absurditet ta mendosh. Nuk është shteti zyrë punësimi. Është çmenduri ta mendosh”, deklaroi Rama.

Si arsye përse duhet të përqafohet forca politike që ai drejton, Rama e ilustroi me shembuj nga shëndëtësia si kontrolli shëndetësor falas apo shtrirja e hemodializës në disa qytete.

Rama e shikon reformën në shëndetësi si më të vështirën dhe më të sulmuarën, por sipas tij efektet e ndryshimit nuk mungojnë.

“Është një reformë që ka sjellë uljen me 30 përqind të çmimit të ilaçeve. Të gjithë qytetarët paguanin një taksë prej 10 përqindësh për çdo kokërr aspirine dhe çdo tabletë që blinin. Nuk e paguajnë më dhe kjo si rezultat i politikës së Partisë Socialiste dhe të qeverisjes sonë. Kemi rritur në mënyrë shumë të ndjeshme listën e ilaçeve të rimbursueshme duke kursyer 70 mln dollarë që qytetarët i kanë në xhepat e tyre jo më për të blerë ilaçe”, shtoi Kryeministri.

Për Ramën nuk kanë rëndësi kostot, madje as ato politike për reformat e nisura.

“Nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk kemi asnjë të drejtë që të ngurrojmë në çuarjen përpara të reformave dhe t’u trembemi kostove apo dhimbjeve të tyre”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA