Ministria e Energjitikës i ka quajtur spekulime pretendimet e Partisë Demokratike për ndërtimin e hidrocentraleve në rrjedhën e Drinit të Zi.
MEI kujton se studimi për ngritjen e hidrocentraleve në këtë rrjedhë është kryer nga një studio franceze me financimin e Bankës Botërore dhe për llogari të shtetit shqiptarë në kohën kur në pushtet ishin demokratët.
“Në misionin e saj për të keqinformuar qëllimshëm opinionin publik, nuk është e papritur që sot Partia Demokratike bën të pa diturën. Rëndom ndodh që kjo forcë politike nuk lexon sqarimet e institucioneve shtetërore dhe as nuk kërkon informacion”, thotë në reagimin e saj Ministria e Energjitikës.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron se studimi i studios franceze i vitit 2009 është pronë e qeverisë shqiptare.
“Ky studim jep rekomandime mbi skemat e mundshme të shfrytëzimit të potencialeve ujore. Konkretisht, për rastin e Drinit të Zi, sikurse është bërë publike, studimi jep disa variante dhe impaktet social-mjedisore që mund të sjellin. Studimi konsideron të financueshme skemat me dy hidrocentrale, përkatësisht Katund i Ri dhe Skavica. Qeveria shqiptare ka filluar përpjekjet për të gjetur format e financimit që Skavica të mund të ndërtohet prej Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare”, shprehet MEI.
Për rastin e HEC-it Katund i Ri, thotë MEI, bashkimi i “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” kanë dorëzuar tek qeveria shqiptare propozimin e pakërkuar për ndërtimin e HEC Katund i Ri. Bazuar në ligj, Qeveria ka vlerësuar projektin e specifikuar, paraqitur nga bashkimi i këtyre dy kompanive” për ndërtimin vetëm të “HEC Katund i Ri”, duke miratuar bonusin prej 8 pikësh.
“Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Ministria e Energjisë dhe Industrisë po vijon me hapat e mëtejshme procedurale të përcaktuara në ligj. Këto hapa përfshijnë hartimin e dokumentacionit standard të procedurës konkurruese, publikimin, vlerësimin e ofertave të mundshme dhe në rast të një procedure të suksesshme, negocimin e kontratës”, thuhet në deklaratë.
MEI garanton se me hapjen e garës, çdo kompani e interesuar mund të konkurrojë për të fituar të drejtën e ndërtimit të kësaj vepre energjitike përmes një konkurrimi plotësisht transparent.
Top Channel