Byroja, si polici gjyqësore. Basha: Akord të jetë nën varësinë e Prokurorisë

05/02/2016 13:50

Askush nuk e publikon draftin, për të cilin thuhet se është rënë dakord për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Megjithatë Lulzim Basha, i cili po e mban këtë çështje në qendër të vëmendjes politike prej 10 ditësh, dha disa detaje. Duke nisur nga qartësimi i varësisë së strukturës.

“Një instrument i përhershëm i Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore, për të hetuar korrupsionin në nivele të larta. Në funksion të kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vënë në dispozicion një shumë jo të vogël, prej afro 8 milionë dollarësh. Drafti është rakorduar dhe, pas kësaj, ka ardhur edhe opinioni i ‘Venecias’, i cili ka qartësuar çdo dilemë që mund të ekzistonte për pavarësinë e kësaj strukture nga Policia e Shtetit. Pra, nuk është dhe nuk mund të jetë një strukturë e Policisë së Shtetit”, ka thënë Basha.

Dhe, megjithëse përmend rekomandimin e Venecias për Byronë Kombëtare të Hetimit, zoti Basha këmbëngul që, në rastin e Byrosë, Parlamenti të mos presë raportin final të “Venecias” për të gjithë reformën në drejtësi, siç kërkon kryeministri.

“Është absurde të presim më tej, kur ne jemi rakorduar për këtë. Kjo nuk kërkon as ndryshim në Kushtetutë, por mund të implementohet sipas sugjerimeve të ekspertëve amerikanë dhe sipas vërejtjeve të ‘Venecias’. Në një pikë bie dakord, në qoftë se është gati Komisioni i Reformës në Drejtësi le të ulen që nesër, ta marrin këtë produkt, ta adoptojnë, ta bëjnë gati dhe ta sjellin javën tjetër në Parlament”, deklaroi më tej Basha.

Çdo vonesë, sipas Lulzim Bashës është në interesin e Edi Ramës, të cilin e konsideron si pengesën reale të luftës kundër korrupsionit.

“Një gjë është e sigurtë, çdo ditë e humbur në këtë drejtim është një ditë e fituar për korrupsionin në nivele të larta. Kështu që, ju e kuptoni fare mirë se kush ka interes ta vonojë dhe kush ka interes ta përshpejtojë Byronë Kombëtare të Hetimit”, tha kreu i PD-së, Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA