Pas debateve të një dite më parë në Kuvend për Byronë Kombëtare të Hetimit, aleatët e koalicionit qeverisës do të mblidhen pasditen e të premtes për t’ju rikthyer kësaj çështjeje.
Rama dhe Meta në orën 17:00 pritet t’i drejtohen ish-vilës 30 për të bashkëdrejtuar mbledhjen e radhës të asaj që njihet si “Njësia e Koordinimit të Koalicionit”.
Formatit të kësaj, mbledhje krahas krerëve të grupeve parlamentare Ruçi dhe Vasili, do t’i bashkohet edhe Spartak Braho, “deputeti i dyfishtë”, siç parapëlqen ta quajë, Ilir Meta.
Braho ishte ai që udhëhoqi propozimet e LSI të kthyera në një draft për reformën në drejtësi, të diskutuara në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të kësaj reforme e më pas dërguar Venecias.
Aleatët do të ulen përballë njëri-tjetrit për të pleqëruar mbase qëndrimin final, pas ping-pongut politik të prodhuar në Kuvend,nga ku Meta duke iu drejtuar opozitës i sugjeroi të depozitojnë në Kuvend variantin për të cilin ajo është dakort dhe t’u nënshtrohet procedurave parlamentare, duke premtuar dhënie prioriteti.
Ndërsa kryeministri Rama, nga foltorja e Kuvendit u kujtoi të gjithëve 12 marsin, koha kur Komisioni i Venecias do të sjellë raportin final për ndryshimet kushtetuese, pjesë e të cilit është Byroja Kombëtare e Hetimit, tashmë e “pagëzuar” nga ekspertët e nivelit të lartë me emrin Njësia e Posaçme e Hetimit.
Një javë më parë, Spartak Braho i tha Top Channel se Byroja e Hetimit nuk është e nevojshme të sanksionohet në Kushtetutë, siç propozojnë ekspertët në nenin 148, por mjafton ngritja e një ligji. Por kjo deklaratë u përgënjeshtrua nga vetë Ilir Meta si personale.
Në takimin e sotëm Rama dhe Meta do të duhet të japin përgjigje mes veti disa pyetje ku më kryesorja mbetet se nga kush do të varet Byroja, Ministria e Drejtësisë, sipas modelit kroat të USKOK-ut, apo tërësisht e pavarur si DNA në Rumani?
Top Channel