Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri deklaroi se marrëveshja mes “Petromanas” dhe “Shell” zhbllokon kërkimet e naftës në Shpirag, duke i hapur rrugën investimeve të mëdha në këtë zonë.
“Do të vazhdojë projekti i investimeve që shkon mbi 250-300 milionë dollarë për vitet në vijim, vetëm për pjesën e kërkimit të rezervave të naftës”, thotë Gjiknuri.
Përmes marrëveshjes “Petromanas” i shiti “Shell” 25 përqind të aksioneve që zotëronte në blloqet kërkimore 2 dhe 3 në zonën e shpiragut, në afërsi të Beratit.
“Fakti që kanë blerë kuotën e Petromanas në Shqipëri, jo vetëm që tregon besim që atje ka naftë në terma komercialë, por njëkohësisht është edhe një konfirmim i mirë për politikat e hidrokarbureve”, shton ministri i Energjitikës.
Në fund të 2013-s, Shell dhe Petroamas njoftuan gjetjen e naftës në pusin Shpiragu 2. Në provat e para treditore u nxoren 800 deri në 1300 fuçi naftë në ditë. Por shfrytëzimi komercial i rezervës kërkonte shpimin e një pusi tjetër, i cili u bllokua pasi “Petromanas” nuk kishte fuqi financiare.
“Shumë shpejt do të vijë platforma tjetër që do të përdoret për shpimin e një pusi të tretë për të parë sesa dhe kush është shtrirja e naftës që është zbuluar aty”, deklaron ministri Gjiknuri.
“Shell” është kompania e katërt në botë me një nivel të ardhurash vjetore prej 423 miliardë dollarësh, ose gati 40 herë më shumë se Prodhimin Kombëtar i Shqipërisë.
Top Channel