Partia Demokratike, me anë të një deklarate të kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkeleid Alibeaj, thekson se “Besmir Qebini, i larguar nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës”, është emëruar zv/drejtor i Përgjithshëm i Doganave shqiptare para disa javësh.
“Emërimet e personave me lidhje kriminale në poste kyçe vazhdojnë. Kapja e shtetit, kapja e institucioneve përmes këtyre emërimeve kriminale po shtrihet çdo ditë në Polici, Tatime, Dogana dhe kudo ku merren vendime të rëndësishme. Një nga sejmenët e çiftit Tahiri-Shullazi, me lidhje të forta me këtë klan kriminal në aksin Tiranë-Durrës, është caktuar para disa javësh zv/drejtor i Përgjithshëm i Doganave shqiptare, në krye të anti-kontrabandës dhe hetimit doganor. Pikërisht Besmir Qebini, i larguar nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës. Prej disa javësh ky person, dhe përmes tij krimi, ka në dorë jo vetëm kontrabandën por edhe anti-kontrabandën dhe hetimin doganor. Shkurt, krimi ka çdo lehtësi për aktivitetet e veta të paligjshme, për trafikun e drogës dhe të armëve”, shprehet Alibeaj.
“Duke caktuar si zv/drejtor të Përgjithshëm të Doganave, këtë lidhje të fortë të ciftit Tahiri-Shullazi dhe bandës që kontrollon Tiranën dhe Durrësin, krimi ka siguruar përfundimisht traun e doganës për aktivitetet e veta. Nuk është rastësi që para disa ditësh u raportua se Emiliano Shullazi u fut nga PKK Durrës me një mjet të blinduar, i cili as nuk u ndalua dhe as nuk u kontrollua në doganë. Ky inkriminim i strukturave shtetërore nga Edi Rama ka sjellë fuqizimin e bandave dhe trafikantëve dhe dobësimin e shtetit”, shtoi Alibeaj.
MPB: PD shpif për policinë. Opozita, me krimin apo me ata që luftojnë krimin?
Zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme reagoi ndaj deklaratës së PD-së, duke u shprehur se, “siç është bërë zakon, pas çdo suksesi të Policisë së Shtetit, SHQUP-i sajon shpifjen e radhës”.
Në reagim thuhet më tej se, “edhe kur policia arreston kriminelë, apo kur arrestohen të korruptuar, PD-ja sulmon policinë. Nuk e ndihmojmë dot PD-në të zgjedhë me kë duhet të jetë, me Policinë apo me krimin. Me ligjin, apo me të korruptuarit”, përfundon deklarata e zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme.
Top Channel