Ministri i Financave, takim me kreun e Bashkisë së Matit

31/01/2016 10:40

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Matit, Nezir Rizvani, i cili i shprehu ministrit nevojën e madhe që Bashkia e Matit ka për investime dhe mbështetje, pasi problemet në të janë të shumta.

Nga ana e tij, Ministri Cani tha se duke hartuar projekte bindëse shtohen investimet jo vetëm nga qeveria, por edhe nga institucionet ndërkombëtare, ashtu siç është operuar me Bashkinë e Burrelit gjatë këtyre dy viteve. Ministri Shkëlqim Cani tha se vetëm në dy vite Bashkisë Burrel i janë dhënë rreth 5 milionë dollarë.

Pas këtij takimi, ministri i shoqëruar nga kryebashkiaku Rizvani, vizitoi edhe parkun e lojërave për fëmijë, ku qeveria ka investuar rreth 75 milionë lekë.
 
Takimi i radhës i ministrit të Financave ishte me Shoqatën e Biznesit në Mat. Gjatë këtij takimi mësohet se ministri u njoh me problematikën me të cilën përballet ky sektor gjatë ushtrimit të veprimtarisë. Nisur nga kjo, takimi konsultativ, sipas ministrit të Financave, ka të bëjë me paraprirjen e hartimit të paketës fiskale për vitin 2017. Ndryshe nga praktika që është ndjekur deri tani, ku hartimi i paketës fiskale bëhej në muajt e fundit të vitit, kjo mënyrë e re i jep hapësirën e nevojshme kohore biznesit që të reflektojë, të sugjerojë apo të kërkojë ndryshime në paketë.

Gjatë vizitës së tij në Mat, Cani u ndal edhe në një biznes fason si dhe në Uzinën e Ferrokromit të Burrelit. Sipas Canit, në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor, do të nxiten hapja e bizneseve të reja, në mënyrë që të shtohen vendet e punës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA