Pas Ben Blushit, edhe deputeti socialist i Lezhës Eduart Ndocaj shpall kandidimin për kryetar të Partisë Socialiste në Kongresin e 19 marsit.
Në një deklaratë për mediat Ndocaj shpjegon arsyet e këtij vendimi të cilin thotë se e ka marrë pas kërkesës së shumë mbështetëse të cilët panë lajmet e kandidimit të mundshëm të tij.
Njoftimin Ndocaj e ka bërë përmes një e-maili drejtuar mediave dhe faqes së tij në rrjetet sociale.
Duke dhënë motivet e kandidimit për kryetar të PS së, deputeti Ndocaj shkruan se kandidimi nuk ka ardhur si një kërkesë apo ambicie personale, por si kërkesë e mijëra socialistëve të ndershëm brenda Shqipërisë dhe në diasporë, te cilët pasi dëgjuan “shashkën” që u hodh në media, i kërkuan atij të vazhdojë seriozisht kandidimin dhe të jetë një përfaqësues i rëndësishëm i tyre në Kongres.
“Kandidimi i z. Ndocaj nuk është çështje personale, inati apo rivaliteti. Kandidimi i z. Ndocaj nuk vjen kundër Ramës, për inat të Ramës apo për inat të Blushit” thuhet në njoftimin drejtuar mediave.
Më tej në njoftim thuhet se garimi i deputetit Ndocaj ka frymë të ngjashme me atë të Berlusconit, kur në vitin ’94, vendosi të hyjë në politikë duke përdorur strategjitë dhe filozofitë liberale që kishte përdorur në biznes.
Sipas deputetit socialist, ky është kongresi i fundit dhe mundësia e fundit për PS që të reformohet e nëse kjo nuk ndodh në këtë kongres, PS rrezikon të zhduket si forcë politike.
Pjesë e njoftimit është edhe manifesti politik i zotit Ndocaj, i cili ngrihet mbi disa shtylla ndër të cilat prishja e koalicionit me LSI, rikthimi dhe respektimi i figurave të rëndësishme të PS-së, hapja e partisë dhe futja e konceptit të meritokracisë.
Top Channel