Dosja e Spiro Kserës, Prokuroria: Shpërdorim detyre

30/01/2016 11:10

Spiro Ksera, 49 vjeç ish ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale është sjellë me pranga në duar nga Gjirokastra në policinë e Tiranës rreth orës 4.00 të mëngjesit të së shtunës, ku edhe do të mbahet derisa të dalë para gjykatës për masën e sigurisë.

Prokurori i dosjes Ndini Tavani i kërkon gjykatës së kryeqytetit ta vleftësojë të ligjshëm urdhërin e ndalimit si edhe të caktojë masën e sigurimit personal ‘arrest me burg’ për dyshimet se ish ministri ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën në fund të mandatit të tij në krye të ministrisë së Punës gjatë vitit 2013.

 Njësia e task force thotë në kërkesën e saj se ish ministri, bashkë me tetë persona të tjerë, ish punonjës në këtë dikaster, përmes procedurave fiktive dhe duke falsifikuar dokumenta, kanë vjedhur 30 milionë lekë. Aktivitetet e dyshimta janë raportuar si të organizuara nga 27 qershori deri më 11 korrik 2013. Prokuroria thotë se çështja është regjistruar pas kallëzimit të ministrisë së Mirëqënies gjatë kohës që ajo drejtohej nga Erjon Veliaj.

Më datën 11 prill 2013 drejtoresha e Shërbimeve Sociale, shpjegon organi i akuzës, së bashku me Ilda Bozdon kanë kërkuar organizimin e eventeve, ndërkohë që ky projekt është miratuar nga ish ministri Spiro Ksera. Aktivitetet që në fakt duhet të kryheshin nga 27 qershori deri më 11 korrik, nuk janë organizuar asnjëherë. Këto aktivitete ishin mbi prioritetin e minoriteteve, “Barazi në të drejta”, “Kapërceni paragjykimet”, “Njihuni me romët”, “Të ndryshëm, por të barabartë”, “Përfshirje sociale” dhe “Mosha e tretë”.

Prokuroria nënvizon se për këto aktivitete nuk ka asnjë dokument që të justifikojë shpenzimet përveç fotografive shoqëruese të falsifikuara me Photoshop, e të marra nga aktivitete të tjera të mëparshme, ku edhe u është ndryshuar data dhe titulli i tyre. Sipas prokurorisë rezulton dhe ka dyshime se ish ministri ka insistuar që këto aktivitete të kryhen e për këtë më datën 25 qershor ka miratuar procedurën e zhvillimit të prokurimit, duke shpallur edhe fituesit.

Sipas prokurorisë, lista e 6 aktiviteteve soiale që janë raportuar të jenë kryer brenda 15 ditëve përveç fotove dhe disa filmimeve nuk ka asnjë faturë shoqëruese për marrjen me qera të ambienteve, apo fatura shpenzimi për drekat. Ndërkohë të ndaluar janë edhe ish punonjësit e kësaj ministrie Arvenis Mene, Elda Kozaj dhe Pranvera Lile. Ndërsa janë në kërkim edhe katër të tjerë. Për këtë dosje ndërkohë është i dyshuar edhe ish drejtori i kabinetit të ministrit Kleves Bitraj, i cili po vuan një dënim të mëparshëm të gjykatës për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA