Kontrolli tatimor përqëndrohet në Tiranë, Cani: Riorganizim administratës

29/01/2016 11:20

Ministria e Finacave ka në plan një organizm të thellë të administratës tatimore. Në një takim për biznesin, ministri Shkëlqim Cani tha se do ketë tërheqje të punonjësve nga terreni dhe gjithçka do të përqendrohet në zyrat në Tiranë.

Do të jenë tatimorët e Drejtorisë së Përgjithshme që do të kontrollojnë edhe bizneset në rrethe, tha ministri, me qëllim shmangien e influencave lokale.

“Ne duam t’i tërheqim kontrollorët nga terreni nga rrethet e rajonet dhe t’i kemi të përqendruar në Tiranë në mënyrë që të jenë larg njohjeve, sepse në qytete të vogla si Pukë apo Bulqizë ata njihen me tregtarët. Ndërsa kur vjen nga Tirana kontrollori është më i ftohtë, ka marrë analizën nga zyra, do të bëjë kontrollin dhe do të japë raportin në fund”, deklaroi Cani.

Cani tha se edhe sistemi informatik për administrimin e TVSH-së që do të jepet me konçesion do t’i shërbejë kësaj mënyre pune, ku do shqyrtohen raportimet e bizneseve dhe më pas do të kontrollohen subjektet në bazë risku.

“Një nga arsyet pse ne e duam atë platformë është që gjithçka të bëhet nga zyra. Të bëhet vlerësimi mbi bazë risku dhe të vijmë tek biznesi pas vlerësimit në zyra dhe për çështje konkrete. Fillimisht do kërkojmë shpjegime për pasqyrat financiare dhe më pas verifikimin në vend, që supozohet të jetë inventari”, nënvizoi Cani.

Prej kohësh Ministria e Financave po punon për një strukturë të re të administratës fiskale. Ende nuk ka një draft konkret, madje është marrë në konsideratë edhe shkrirja e tatimeve me doganat, por gjithçka deri tani nuk është zyrtarizuar nga qeveria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA