Afrimi i Vangjel Dules me opozitën nuk ishte një rrufe në qiell të hapur për Edi Raman, por fillimi i fundit të pritshëm mes dy ish-aleatëve të dikurshëm.
Humbjen e një aleati modest në numër, por jo në cilësi si Dule, vetë Rama e ka zëvendësuar duke i dhënë një dimension të ri marrëdhënieve me partinë e Shpëtim Idrizit. Kulmimi i bashkëpunimit u shënua në lokalet e 2015, kur PDIU iu bashkua koalicionit të majtë. Hapi i parë ishte emërimi Shpëtim Idrizit si nënkryetar Kuvendi, dhënia e postit të zëvendësministrit të Jashtëm Halil Hysenit, pasuar nga disa emërime në drejtori të rëndësishme, më i fundit, i Isuf Shehut në AKU.
Forcimin e PDIU me bekimin e Ramës, vetë Shpëtim Idrizi e shikon si “pjesë e natyrshme e një marrëveshje të dizenjuar me PS-në duke treguar se kjo forcë politike ka kapacitete që mund të kryejnë shumë mirë detyrën në shtetin shqiptarë në të gjitha nivelet”. Por, ambicia e Idrizit nuk mbaron këtu. Partia e tij kërkon një post ministri në qeveri.
“Pozicioni i PDIU-s me një ministër apo jo nuk ka të bëjë me mazhorancën. Ne e kemi kërkuar në kuptimin që sa herë mendojmë që qeveria ka nevojë të vitalizohet të ndryshohet etj, etj. Kjo është preogatia e Kryeministrit Edi Rama, jo për shkak të kërkesës tonë, por të peshës specifike që ka partia jonë si forcë e katërt politike e sapo konfirmuar, me 5 deputetë në Parlamentin e Shqipërisë dhe kjo e bën të natyrshme kërkesën tonë”, shprehet Idrizi.
Por jo gjithçka shkon mirë mes koalicionit të majtë dhe PDIU.
“Ne jemi shumë kritik ndaj mazhorancës në mënyrën se si po zbaton marrëveshjen për pushtetin vendor, ku ne ishim bashkë në një koalicion fitues dhe ku PDIU-ja u konfirmua me 3 bashki. Prandaj kjo është një marrëveshje që vazhdon dora-dorazi duke marrë kohën e nevojshme”, thotë Idrizi.
Idrizi tentoi ta trajtojë me mospërfillje afrimin e Vangjel Dules me opozitën.
“Për shkak të ngarkesës që kam nuk mund të kem dot një opinion për çdo njërin nga 140 deputetët e kuvendit të Shqipërisë”.
Top Channel