Vangjel Dule prej kohësh është i pakënaqur me kryeministrin Edi Rama, me të cilin zyrtarisht është ende në koalicion qeverisës. Lulzim Basha prej dy vitesh është në kërkim të aleatëve të rinj politikë dhe mesa duket, ka ardhur koha që Vangjel Dule dhe Lulzim Basha të eksplorojnë mundësitë e bashkëpunimit partiak mes tyre.
Mes dy politikanëve ndodhi një takim i pazakontë dhe vendi i zgjedhur ishte shumë publik, selia e Partisë Demokratike.
Takimi mes Bashës dhe Dules zgjati 30 minuta dhe siç bën me çdo të ftuar special, Lulzim Basha e përcolli vetë deri poshtë kryetarin e PBDNJ-së, por komentet ishin të pakta, pothuajse po aq korteziale sa e përshkroi Vangjel Dule takimin me Lulzim Bashën.
“Kafe kortezie”, tha ai duke lënë pa përgjigjie pyetjen nëse tashmë kishte kaluar në opozitë.
Është shumë herët të parashikohet nëse një kafe kortezie do të nxjerrë në opozitë PBDNJ-në e Vangjel Dules, por mund të thuhet me siguri se vota e tij nuk mund të llogaritet apriori tek votat e koalicionit qeveritar.
Nga ana tjetër, një koalicion PD-PBDNJ mund të dështojë ende pa lindur. Lulzim basha, i cili po rioganizon partinë e vet dhe koalicionin opozitar, ka deklaruar më herët se është i gatshëm të lidhë marrëveshje me çdo parti që është në opozitë me qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Një prej tyre është edhe ajo e Kreshnik Spahiut, me të cilin Lulzim Basha ka patur një drekë pune disa ditë më parë.
Aleanca Kuqezi lindi si një Parti Nacionaliste, goditjet më të mëdha të së cilës kanë qenë kundër Vangjel Dules. Madje koalicioni mes Ramës dhe Dules në 2013-n ishte arsyeja zyrtare që Kreshnik Spahiu artikuloi për t’u larguar nga aleanca e atëhershme opozitare me Edi Ramën.
Por, duke e patur në vëmendje historikun e ndërlikuar të atyre që sot nuk janë në koalicion me Ramën, Lulzim Bashan, po përpiqet të forcojë partinë e vet.
Tani për tani, ajo ku do të fokusohet forca më e madhe e opozitës, janë protestat, jo vetëm në Tiranë, por në çdo qytet të Shqipërisë. Ky vendim u mor në takimin e Bashës me kryetarët e degëve në rrethe dhe ata të Tiranës. Synimi është jo vetëm të mos lihet e qetë qeveria, por protestat në qytete për çdo problem lokal, shihen nga Partia Demokratike si forma më efikase e reagimit publik kundër çdo veprimi që opozita do ta cilësojë si të padrejtë dhe korruptiv.
Pjesë e aksionit opozitar do të jetë edhe vetë kryetari i Partisë Demokratike, i cili do të rinisë këto ditë takimet në bazë me qytetarët për t’i njohur ata edhe me shtyllat kryesore të programit të Partisë Demokratike.
Top Channel