Partia Demokratike iu referua një raporti konfidencial të kompanisë konsulente “Crown Agents” për të akuzuar qeverinë për korrupsion masiv në dogana. Jorida Tabaku tha se, raporti i publikuar nga mediat certifikon ato, që opozita i ka denoncuar kohë më parë.
“Kompania koncesionare, që është paguar 8 milionë euro për të sjellë në buxhetin e shtetit mbi 100 milionë euro, dëshmon në raport organizimin perfekt të korrupsionit në Drejtorinë e Doganave, ku nga shkurti i vitit 2014 deri në shkurt të vitit 2015, raportohet se janë vjedhur 17 milionë euro”, tha deputetja Jorida Tabaku.
Por Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur se, raporti i përket periudhës Shkurt 2014-Shkurt 2015. Doganat kujtuan sqarimin e “Crown Agents”, e cila vëren se, prej periudhës kur ky raport është dorëzuar ka pasur shumë zhvillime, përfshirë largimin nga detyra dhe procedimin disiplinor të një numri punonjësish të Administratës Doganore Shqiptare dhe, për këtë arsye, komentet e bëra në atë moment të caktuar nuk qëndrojnë domosdoshmërisht edhe sot.
Një insinuatë jo e drejtpërdrejtë kjo, se kritikat e raportit i referoheshin periudhës, kur doganat drejtoheshin nga Elisa Spiropali.
Top Channel kontaktoi edhe ish-drejtoreshën e këtij institucioni. Por zonja Spiropali evitoi komentet mbi këtë çështje dhe tha se, në periudhën e saj, bashkëpunimi me “Crown Agents” ka qenë i shkëlqyer. “Falë bashkëpunimit me ‘Crown Agents’ janë larguar nga puna 220 punonjës për shkelje dhe korrupsion, si dhe janë zbuluar mbi 10 mijë raste evazioni, çfarë bëri të mundur rritjen e të ardhurave me mbi 12 për qind gjatë vitit 2014”.
Top Channel