Partia Demokratike, nëpërmjet deputetes Albana Vokshi, deklaroi se “nën presionin e denoncimeve të Partisë Demokratike dhe të një pjese të medias së lirë, Edi Rama sot u detyrua të përgjysmojë ryshfetin e tij me koncesionin e “check-up”-it”.
“Ndërkohë që e kishte paracaktuar fituesen e këtij koncesioni, donatoren e tij Vilma Nushi, me ofertën më të lartë në garë, 25 përqind më shumë se konkurrentët e tjerë, çka do të thotë 18 milionë euro dëm shtetit, 18 milionë euro dëm parave të shqiptarëve, pra kishte planifikuar se do t’i jepte të përzgjedhures së tij 120 milionë euro, sot del dhe thotë se ka ndërmend t’i japë 64 milionë dollarë. Ky është një mashtrim skandaloz, një përpjekje për të shpëtuar nga skandali ku Rama, Beqaj dhe donatorja e tij janë kapur në flagrancë, duke vjedhur fondet e shëndetësisë, duke vjedhur paratë e shqiptarëve, duke manipuluar shifrat e “check-up”-it për grupmoshën 40-65 vjeç, një target grup prej 920 mijë personash”, u shpreh Vokshi.
“Pas fushatës dhe denoncimeve të Partisë Demokratike, Edi Rama pranoi se do t’i japë para Vilmës së tij jo për 920 mijë persona, por për 475 mijë. Dy ditë më parë ne treguam me prova e fakte se si kanë abuzuar në vitin 2015 duke paguar 1.7 miliardë lekë më shumë për 100 mije kontrolle të pakryera kurrë. Pra, të dashur qytetarë, Vilma mori nga Rama 1.7 miliardë lekë për një punë që nuk e kishte kryer. Kjo skemë do të zbatohej edhe në vitet në vazhdim. Propaganda e sotme e Edi Ramës është thjesht një tërheqje pas denoncimit me prova e me fakte të Partisë Demokratike, mbi këtë abuzim skandaloz me shëndetin e shqiptarëve”, shtoi deputetja demokrate.
Top Channel