Çmimet e ulëta, BB: Nafta dhe energjia do vazhdojnë rënien

26/01/2016 14:50

Banka Botërore parashikon se çmimet e naftës, por edhe ato të ushqimeve në tregjet globale do të vazhdojnë të ulen më tej gjatë këtij viti. Në raportin e fundit mbi perspektivën e tregjeve, BB parashikon se çmimet e energjisë do të bien mesatarsisht me 25 për qind në 2016-n, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa ato të të artikujve bujqësorë do të rrudhen me 1.4 për qind.

Rënia e gjerë e çmimeve në tregjet botërore po udhëhiqet nga nafta, e cila aktualisht kuotohet rreth 30 dollarë për fuçi, që është niveli më i ulët nga 2003-shi. Sipas Bankës Botërore, çmimi i arit të zi pritet që të rikuperohet disi gjatë muajve në vijim, krahasuar me nivelet aktuale, por si mesatare vjetore ai do të jetë dukshëm më i ulët se viti i kaluar.

Rënia e çmimit të naftës është duke ndikuar zinxhir gati të gjitha produktet e tjera, veçanërisht ato bujqësore. Sipas BB, çmimi i shportës së artikujve ushqimorë u ul mesatarisht me 15 për qind vitin e kaluar, teksa pritet të bjerë edhe këtë vit me mbi 2 për qind.

Ekspertët e Bankës Botërore thonë se, shkaku kryesor i rënies së çmimeve është prodhimi i lartë dhe rritja e dobët ekonomike në vendet në zhvillim. Veçanërisht ngadalësimi i ekonomisë kineze, një nga konsumatorët më të mëdhenj në botë të naftës dhe ushqimeve, që ka ulur kërkesën në treg për këto produkte dhe rrjedhimisht edhe çmimet e tyre.

Parashikimet për rënien e çmimeve në arenën globale paralajmërojnë se, ato do të mbeten të përmbajtura edhe në tregun e brendshëm. Në 4 vitet e fundit, inflacioni në vend ka qenë gjithmonë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë, i ndikuar nga rritja e ulët e ekonomisë, por edhe rënia e çmimeve për mallrat e importit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA