Aleksandër Çipa – Një lajm ilarizues dhe pse jo edhe shantazhues, qarkulloi gjatë 10-ditëshit të fundit në një pjesë të mediave dhe rrjeteve sociale të vendit.
Ai bënte fjalë për një takim të kryetarit të LSI-së, kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, me drejtuesin e AAK-së, Kreshnik Spahiu. Brendia e bisedës mes tyre u raportua skematikisht, por ajo që ishte e pandryshueshme në përcjellje kishte të bënte me idenë për një koalicion të ri mes forcës së Ilir Metës dhe partive të vogla në skenën politike. Në të njëjtën kohë, për t’u përcjellë disi më bindshëm kjo ide, u njoftua edhe takimi mes Kreshnik Spahiut dhe politologut të shumëartikuluar për megaprojektin kombëtar, zotin Koço Danaj. Nga ana e vet, ky i fundit, kryeson gjithashtu një forcë pa peshë elektorale, por që vetë ia del të zhurmojë shpesh më shumë se një spektër partish të vogla. Ky lajm pasoi nga disa njoftime për këmbënguljen e mbetur në premtim të BDIU-së që kryeson Shpëtim Idrizi për përfshirje në qeveri dhe marrjen e një posti ministror. Ndonëse janë lajme që lidhen me aktorë të skenës politike, ato parathonë një subjekt ideimesh dhe projekt-lëvizjesh që krerët e politikës kryesore në vend po bluajnë dhe pse jo, edhe pëshpëritin, mes tyre.
Qartazi jemi në një moment kur shumica e majtë, edhe pse gjeneron kapituj sherresh individuale mes dy krerëve të saj që mbyllen pa rrethana dhe rezultate të ndriçuara për publikun dhe mediat në restorante luksoze të Tiranës, sërish në horizont po duken e shformohen siluetat e dy zhvillimeve të pritshme. I pari është më i hamendësuar dhe më i kërkuari: Ka lidhje me ndryshimet në qeverinë ‘Rama’. Një kërkesë e nisur dhe e imponuar me disa forma dhe rrethana nga vetë aleati në qeverisje i kryeministrit Rama. (Ilir Meta ia imponoi një ndryshim në kabinet, kur hoqi papritmas Nasip Naçon dhe e zëvendësoi si ministër Drejtësie me Ylli Manjanin). Kjo është lëvizje e paplotë dhe me idenë se diçka tjetër do të ngjasë në kohë të pacaktuar dhe brenda muajve të afërt. Mirëpo kryeministri Rama ia doli që këtë koniunkturë të brendshme, (e stilit tipik Meta), ta lërë pas dhe të gjendet papritmas në një takim të shtyrë me Metën në selinë e Kryesisë së Parlamentit, por të hajë një darkë në restorantin luksoz të kompleksit “Panorama”, që edhe pse i ka perdet dhe grilat e rënda për transparencë, e shumëbëri me dije panoramën e marrëdhënieve mes dy bashkortakëve qeverisës.(!)
Skema pa fantazi për një bisedë me drejtues jo potentë në skenën politike dhe lajmi–thashethem për një koalicion të ri, as më pak e as më shumë, vlejnë për rifabrikimin e idesë për koalicion paraelektoral në vend. Kjo është një përpjekje e ndenjur për të vijuar në rrugën e afrimit drejt vitit elektoral, me idenë se mund të rikompozohen influencat dhe raportet brenda bashkëqeverisësve aktualë Rama-Meta. Protagonizmi i lehtë për këtë lajm-shpërndarjeje nga ana e zotit Meta, nuk është gjë tjetër veçse rifabrikim i skemës për zhurmën e radhës paraelektorale. Ka shumë shenja që bashkëqeverisësit po luajnë kartën për zgjedhje të parakohshme si një mundësi shantazhimi jo vetëm ndaj njëri-tjetrit, por më shumë edhe ndaj opozitës. Kjo skemë i mban aktivë më shumë në raportet mes njëri-tjetrit zotin Rama dhe zotin Meta. Ndërsa i dyti, operon me aftësinë për të mbetur në lojën e të tretit që ka lirinë e partneritetit si majtas, ashtu edhe djathtas dhe duke e tejkaluar me lehtësi kriterin e evidentuar si themelor në momentin e zgjedhjeve të 2013, atë të bashkimit të së majtës. Kriteri i së majtës së bashkuar nuk është më në fuqi. Kjo është evidente shumë dhe nuk përbën një domosdoshmëri apo filozofi për qeverisjen. Natyrisht rreziku ndaj saj bëhet prezent kur diferencat apo mosmarrëveshjet në nivelet e larta të qeverisjes, zbresin si çarje brenda Parlamentit. Në historinë e kësaj ortakërie gjatë gati tre viteve të fundit, diçka e tillë as është shfaqur e as është ndier. Për këtë arsye, edhe diferenca mes zotit Rama dhe zotit Meta për përfaqësimin në kabinetin qeveritar dhe sidomos për ndryshimet ministrore, ka qenë thjesht debat me qark të mbyllur. Tashmë, kur pesha e rëndesës ekonomike dhe problemet në investime dhe në tregun e punës po bëhen më të rënda, duket se në rend të ditës vjen sërish nevoja për ndryshime në qeveri. Në këtë fushë politikani Meta përhershmërisht luan i pari dhe natyrshëm ka liri më tepër. Nuk është aspak çudi që edhe loja shantazhuese për inicime të pabujshme koalicionesh, në kontekst të pashpallur paraelektoral, të vlejë më shumë për skemën e imponimit të lëvizjeve në kabinet, se sa për një përgatitje për të parakohshme zgjedhje.
Rifabrikimi i një ideje të tillë të vjetër, me aktorë dhe skemë të re, nuk është gjë tjetër, veçse pjesë e lojës së njohur të Ilir Metës brenda së majtës. Forca kryesore e së cilës, PS, tashmë ka probleme të tjera, por me një udhëheqësi të përqendruar, ndryshe nga çka qenë në vitin 2013.
Gazeta “Shqip”
Top Channel