Konçesioni për mbledhjen e TVSH-së, ekspertët: Kemi përvojë të hidhur

23/01/2016 20:15

Nisma e qeverisë për krijimin e një partneriteti me privatin që do të administrojë tatimin mbi vlerën e shtuar shihet me skepticizëm nga ekspertët.

Presidenti i Institutit për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen, Arben Malaj thotë se përfshirja e privatëve në sektorin fiskal ka rezultuar një përvojë e hidhur për Shqipërinë.

“Kemi 3 konçesione para vitit 2013, që nuk kanë sjellë asnjë të mirë në mirëmenaxhimin e financave publike, por janë kthyer në kosto. Të parin kemi rastin e skanimit në dogana, që është kosto për biznesin dhe buxhetin; rasti i dytë është ai i ngjyrosjes; dhe i treti ai pullave, të fokusuar tek pjesa e akcizës, ku problematika vazhdon. Dhe sipas raportit të fundit për të ardhurat e vitit 2015 dhe vlerësimit të FMN, është një nga sektorët me problematikën më të madhe”, deklaron Malaj.

Për Olti Rrumbullakun, kjo skemë, në vend që të përmirësojë mbledhjen e të ardhurave, mund të ketë efektin e kundërt.

“Këto të ardhura që do të gjenerohen nga reforma apo aksione të reja nuk do të jenë më për buxhetin e shtetit. Kur pjesën dërrmuese do t’i çohet një kompanie private, atëherë do të jetë shumë e vështirë për administratën që të motivohet për mbledhjen e të ardhurave, por dhe për biznesin për t’u motivuar që të jetë në përputhje me ligjet tatimore”, vlerëson Rrumbullaku.

Ekspertët mendojnë se qeveria nuk duhet të rendë drejt konçesioneve për çdo problem në ekonomi, por duhet të përmirësojë qeverisjen, ligjet dhe klimën e biznesit.

“Sepse studimet në vendet e tjera kanë treguar se konçesionet në vendet me institucione të dobëta nuk japin rezultatet që priten, të cilat duhet të ulin koston dhe kohën për biznesin dhe të rrisin cilësinë për përfituesin. Është koha për të ndaluar, për të parë kuadrin ligjor e institucional dhe rastet e konçesioneve duhet të jenë për raste shumë specifike dhe jo një parim i përgj që kudo ku ka një mangësi mund të zëvendësohet me një konçesion”, sugjeron Malaj.

“Mesa duket, nxitja e kaloi sensin e masës duke u premtuar privatëve të ardhurat e shtetit, të cilat janë një garanci për suksesin e një projekti të tillë. Për mua është shkelur një vijë e kuqe sepse të ardhurat publike do të mblidhen në të ardhmen me shumë vështirësi”, nënvizon Rrumbullaku.

Një kompani private nga Hong Kongu i propozoi qeverisë krijimin e një platforme teknologjike për të përmirësuar mbikëqyrjen dhe raportimin e transaksioneve të TVSH-së në treg. Ministria e Financave thotë se e ka pranuar idenë si të vlefshme, por i ka ndryshuar krejtësisht termat e referencës për të favorizuar interesin publik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA