Gjykata Themelore në veri të Mitrovicës ka dënuar liderin e serbëve Oliver Ivanoviç me 9 vjet burg, për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Ndërsa të akuzuarit e tjerë Dragolub Delibashiç, Aleksandar Lazoviç dhe Ilija e Nebojsha Vujaçiç janë shpallur të pafajshëm.
Dënimi i Oliver Ivanoviç me 9 vjet burg erdhi pas vërtetimit të aktakuzës se ai ka urdhëruar vrasjen e shqiptarëve etnikë në Mitrovicë më 14 prill 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, kur supozohet se ishte lider i një njësie paraushtarake policore.
Në atë periudhë, forcat policore serbe kryen një lloj spastrimi etnik duke i përndjekur dhe vrarë shqiptarët. Familjet shqiptare janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Gra, fëmijë e pleq janë ndarë nga pjesa tjetër e burrave dhe janë urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri.
Sipas akuzave të vërtetuara në gjykimin ndaj Ivanoviç, 15 meshkuj shqiptarë janë grumbulluar së bashku deri tek një mur dhe janë marrë nga një grup paraushtarakësh serbë të cilët i kanë lidhur me duar pas shpine dhe i kanë kërcënuar e fyer.
Pastaj, të gjithë ata janë urdhëruar të ecin deri te rruga kryesore “Miladin Popoviç”, ku janë ndalur. Aty ndodhej një pikë kontrolli e paraushtarakëve.
Sipas aktakuzës, gjashtë nga burrat u ndanë nga të tjerët dhe u urdhëruan që po ashtu të shkojnë në Shqipëri. Pjesa tjetër prej 9 vetë, u dërguan deri te pika e tyre e kontrollit. Në atë kohë, Oliver Ivanoviç ishte shef i kësaj pike, i veshur me uniformë me ngjyrë të kaltër.
“Para se nëntë nga këta persona të mbërrinin te pika, njëri nga pjesëtarët e pyeti Oliver Ivanoviç: “Çfarë të bëjmë me ta?”. Ky ia ktheu: “Pse po pyet? Vepro sipas urdhërave”. Paraushtarakët pastaj i morën dy nga dy dhe i qëlluan me plumba”, thuhet në aktakuzën ndaj Ivanoviç.
Gjykimi i politikanit serb në Gjykatën e Mitrovicës së Veriut është mbajtur nën masa të shtuara sigurie për shkak të tensioneve në atë pjesë të Kosovës.
Top Channel