Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, presidentja Atifete Jahjaga të enjten ka bërë homazhe në varrin e ish-liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Presidentja Jahjaga po ashtu ka vizituar familjen e ish-presidentit Rugova, ku tha se vizioni i tij na bën që të nderojmë dhe kujtojmë me respektin më të madh liderin, arkitektin dhe udhëheqësin, “i cili e orientoi popullin dhe vendin tonë drejt vlerave properëndimore dhe drejt miqësisë së përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Homazhe pranë varrit të ish-presidentit kanë bërë edhe kryeministri Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendësi i tij Hashim Thaçi dhe kabineti qeveritar.
Pas homazheve, Mustafa vizitoi edhe familjen Rugova, e po ashtu dhuroi një libër për gruan e ish-presidentit, ndërsa mori një mirënjohje nga zonja Rugova.
Në mesin e disa aktiviteteve të parashikuara gjatë ditës për të nderuar figurën e ish-presidentit Rugova, LDK-ja ka organizuar një akademi përkujtimore. Kryetari i saj, njëheresh kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar ish-presidentin Rugova si “prijës të një epoke të vlefshme për Kosovën”.
Duke folur për biografinë e Rugovës, kryeministri Mustafa tha se ai shkruante me ëndje për pasuritë e tokës së Kosovës, vlera këto që i japin vulën këtij shteti: “Rugova tregonte se ardhmërinë mund ta pushtojmë nëse jemi bashkë. Rugova peshonte sfidat dhe durimin për situata shumë të rënda. Këto vlera na nevojiten edhe sot kur po kalohet një rrugë jo e lehtë. Rugova krijoi platformë politike anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe miqësi të përhershme me SHBA-të, e që kjo platformë u bë program politik i të gjithë shqiptarëve të Kosovës”.
Mustafa tha se Kosova po ecën e sigurtë drejt integrimeve evropiane dhe se është në rrugë të mbarë për t’u bërë vend i prosperitetit dhe i dashur për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Sipas tij, ish-presidenti Rugova krijoi miq anekënd botës si dhe krijoi shenjat e identitetit nacional dhe shtetëror të Kosovës.
Homazhe te varri i Ibrahim Rugovës kanë bërë edhe zyrtarë të tjerë të LDK-së dhe partive të tjera në Kosovë, duke çmuar lart veprën e Ibrahim Rugovës, i cili vdiq më 21 janar 2006, pas një sëmundjeje të rëndë.
Top Channel