Irena Beqiraj shpjegoi arsyet se pse Ministria e Financave ka vendosur ta japë me koncesion sistemin e mbledhjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
“Marrja e këtyre të dhënave në kohë reale, instalimi i faturës elektronike, e cila është një kërkesë bashkëkohore që ndihmon administratën tatimore në punën e saj të përditshme, (por është edhe një kërkesë e biznesit sepse ul edhe kostot e të bërit biznes); gjurmimi i mallit dhe edhe mundësia e Lotarisë së Kuponit tatimor në kohë reale, mendojmë se do të jenë elementët bazë të një platforme, që do të ndihmojë administratën tatimore”, tha Beqiraj.
Qeveria nisi një aksion të gjerë kundër informalitetit, por sipas Ministrisë së Financave sistemi aktual i tatimeve lë hapësira për evazion. Sipas Beqirajt sistemi i ri i mbyll këto shtigje dhe do të përmirësojë administrimin fiskal.
“Ajo që u vu re në të gjithë periudhën e operacionit antiinformalitet, në të gjitha analizat tona të thelluara që edhe po vazhdojnë është se, në hapësirën tonë ekonomike kryhen dy lloj transaksionesh bazë nëse do t’i quaja kështu, transaksionet biznes me biznes, të cilat deklarohen me anë të faturës tatimore dhe të cilat raportohen vetëm një herë në muaj në administratën tatimore, në datën 10 të muajit pasaardhës si dhe transaksionet biznes me individ, ose siç i quajmë ndryshe shitjet me pakicë, të cilat deklarohen në administratën tatimore nëpërmjet kuponit fiskal që lëshohet nga kasat dhe këto deklarohen në fund të ditës, nëpërmjet një mbylljeje manuale. E theksoj mbyllje manuale dhe jo automatike”, vijoi ajo.
Ky është një koncesion i pakërkuar, që do të thotë se ideja nuk ishte e qeverisë por e një kompanie private nga Hong Kongu. Por sipas Beqirajt, ministria e Financave nuk ka pranuar kushtet e kompanisë private por ka hartuar terma krejtësisht të tjera reference për koncesionin.
Top Channel