Aventura e Luiz Adrianos në Kinë zgjat më pak se 24 orë. Sulmuesi brazilian, i cili kishte arritur një marrëveshje për kalimin te skuadra Jiangsu Suning, u rikthye te Milani për t’u vënë sërish në dispozicion të trajnerit Sinisa Mihajlovic.
Sipas përfaqësuesve të futbollistit, drejtuesit e skuadrës kineze nuk e respektuan marrëveshjen dhe kjo e shtyu Luiz Adrianon të mos e firmosë kontratën me ta.
“Luiz Adriano do të kthehet te Milani për të mbyllur kontratën me këtë skuadër. Jiangsu nuk e respektoi marrëveshjen e arritur dhe kontrata me klubin kinez nuk u firmos. Luiz Adriano do të rinisë stërvitjen me Milanin ditën e enjte”, tha një prej agjentëve të lojtarit.
Milan dhe Jiangsu arritën marrëveshjen për transferimin e Luiz Adrianos për një shifër prej 14 milionë eurosh, ndërkohë që për kontratën re të futbollistit flitej që ishte 5-vjeçare, me një pagë prej 8 milionë eurosh në vit.
Top Channel