CIES vendos Shqipërinë në grupin e kombëtareve të reja

20/01/2016 19:35

Raportin e parë për vitin 2016, Observatori i Futbollit CIES ua ka kushtuar 50 skuadrave kombëtare të mbarë botës me ecurinë më të mirë në renditjen e FIFA-s përgjatë 2015-s.

Observatori ka bërë një përshkrim të detajuar të organikës së skuadrave, moshës mesatare, vendlindjes së futbollistëve dhe klubet ku janë të angazhuar.

Në këtë listë me 50 skuadra kombëtare A bën pjesë edhe Shqipëria. Sa i përket mesatares së moshës së lojtarëve, vendi ynë renditet në grupin e kombëtareve me moshë relativisht të re të futbollistëve. Me moshën mesatare 26.5 kombëtarja jonë renditet e 15-ta. Lista, sipas këtij kriteri, kryesohet nga Nigeria me 24.7 mesataren e lojtarëve në fushë, ndërkohë që mbyllet me Skocinë me mesataren 29 vjeç.

Nga fuqia ekonomike e klubeve ku angazhohen futbollistët, Shqipëria renditet në vendet e fundit dhe po ashtu edhe për ndeshjet e luajtura përgjatë vitit të kaluar. Shtatë takime i radhisin kuqezinjtë në fund së bashku me Izraelin, Uellsin dhe Kroacinë.

Shqipëria, thotë Observatori, ka përdorur 30 lojtarë në të gjitha ndeshjet e 2015-ës, nga të cilët 17 kanë lindur jashtë (7 në Zvicër, 7 në Kosovë, 1 në Norvegji, 1 në Gjermani dhe 1 në Maqedoni). Ky grup i futbollistëve ka edhe përqindjen më të lartë në totalin e minutave të zhvilluara thuajse 64 përqind.

Etrit Berisha është lojtari që mban më shumë minuta mbi supe për kuqezinjtë për 2015-n. Gardiani i kombëtares shqiptare ka luajtur 615 minuta dhe ka munguar vetëm 15 minuta në 7 takime të total që Shqipëria ka zhvilluar në vitin që lamë pas.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA