Monopoli 15-vjeçar i skanimit në Dogana, që iu dha koncesionarit “Rapiscan” nga qeveria e mëparshme, ka prodhuar absurdin e radhës. Bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në import-eksport energjie, detyrohen nga organet doganore, që gjatë procesit të zhdoganimit, të kryejnë pagesën prej 22 eurosh për shërbim skanimi.
Por si mund të skanohet energjia elektrike, e cila transmetohet përmes linjave të interkonjeksionit? Përfaqësues të biznesit i thanë Top Channel se të ardhurat vjetore të sektorit janë rreth 200 milionë euro, ndërsa kosto shtesë për një shërbim që nuk marrin nga “Rapiscan”, përllogaritet në rreth 5000 euro në vit, pra më shumë se vlera që detyrohet të paguajnë bizneset.
Qesharak është fakti që u imponohet një pagesë për një shërbim në kundërshim me ligjet e fizikës. Absurdi buron nga fakti se marrëveshja koncesionare nuk parashikon raste të përjashtimit nga kjo pagesë, siç është edhe rasti në fjalë, madje as me rinegociimin që iu bë kontratës fillestare nga qeveria e re, e cila krijoi një tavan te ardhurash për koncesionarin në 210 mln euro duke lehtësuar pagesën për biznesin, nuk u parashikua një gjë të tillë.
Top Channel ka siguruar nje letër që Shoqata Shqiptare e Furnizuesve të Energjisë i ka dërguar Ministrisë së Financave, ku kërkon ndalimin e menjëhershëm të çdo pagese që lidhet me skanimin e supozuar të energjisë elektrike.
Në rast dështimi të përmbushjes së kësaj kërkese, Shoqata shprehet në letër se do t’i drejtohet “Komunitetit të Energjisë”, ku bën pjesë dhe Shqipëria, që ndërmjet palëve ndalon taksat doganore dhe çdo kufizim sasior mbi import-eksportin e energjisë dhe tarifa e skanimit konsiderohet si e tillë pasi të ardhurat e arkëtuara nga tarifa derdhen në buxhetin e shtetit.
Top Channel