Qeveria dhe BERZH-i do të mbulojnë 50% të shumës nëse kreditë që bankat do të japin për fermerët që përfitojnë nga fondi i garancisë, nuk do të kthehen.
Top Channel zbardh të plotë marrëveshjen mes BERZH-it dhe Ministrisë së Bujqësisë e asaj të Financave, përmes të cilave do të vendosen vetëm në fazën e parë rreth 110 milionë euro si garanci për kreditë bujqësore.
Sipas marrëveshjes së dërguar për miratim në Kuvend, skema e lehtësimit do të përbëhet nga dy kollona. E para është ajo që quhet linja kredie për agrobiznesin. Sipas këtij komponenti, BERZH-i dhe qeveria do të japin kredi për bankat private nëse këto të fundit do të kenë nevojë për likuditet që të kreditojnë fermerët.
Aktualisht, bankat janë të tejmbushura me likuditet, kështu që ky kompononent është një garanci shtesë që mund të aktivizohet në një moment të mëvonshëm.
Ndaj, pjesa më e rëndësishme e skemës është kollona e dytë, e ashtuquajtura lehtësimi i agrobiznesit për ndarjen e riskut. Përmes këtij komponenti të marrëveshjes, qeveria dhe BERZH-i marrin përsipër t’i mbulojnë bankave private deri në 50% të humbjeve për kreditë që fermerët nuk do të arrijnë t’i kthejnë për shkak të dështimit të biznesit apo goditjeve financiare.
Fondi i garancisë do të menaxhohet nga BERZH-i. Qeveria do të paguajë për të 36 milionë euro për tre vitet e ardhshme, ndërsa BERZH-i do të vendosë 100 milionë euro vetëm në fazën e parë. Të gjithë fermerët mund të aplikojnë për të përfituar nga ky fond pranë bankave private apo isntitucioneve të mikrokreditit që do të përzgjidhen për t’u bërë pjesë e skemës.
Vendimi për dhënien e kredive do të jetë i bankave private, por pasi kredia të jetë miratuar duhet që të marrë edhe përlqimin e BERZH-it për të përfituar nga mbulimi i riskut me 50%.
Qeveria shpreson që përmes kësaj skeme, e cila do të zgjasë gati 10 vjet, të gjenerojë të paktën 300 milionë euro kredi për fermerët, çka do të pesëfishonte financimet për sektorin e bujqësisë, duke rritur prodhimin vendas dhe të ardhurat familjare të fermerëve.
Top Channel