Eksplozivi, një ekspert do të hedhë dritë mbi çështjen “Gavriç”

19/01/2016 13:10

Një ekspert i lëndëve plasëse do të hedhë dritë mbi dilemën nëse eksplozivi i gjetur në çantën e shtetasit serb Sllobodan Gavriç ishte i destinuar për të kryer një atentat të madh në Prishtinë.

Në seancën gjyqësore të 18 janarit, e cila u mbajt nën masa të rrepta sigurie, Gavriçit i është sqaruar se ndaj tij janë depozituar 14 prova materiale, përfshirë disa raporte të policisë dhe ekspertëve, raporton “Telegraf”.

Megjithatë, për të sqaruar qëllimin e sjelljes së eksplozivit në Kosovë, prokurorja speciale Drita Hajdari ka kërkuar që në seancën e radhës të paraqitet një ekspert i cili do zbardhë se për çfarë ishte i përgatitur eksplozivi.

Gavriç u kap me rreth 12 kilogramë eksploziv në dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë, pasi makina e tij u ndal nga policia në lagjen “Arbëria”. Sipas aktakuzës, eksplozivi i tij ishte marrë në Beograd dhe kishte për qëllim kryerjen e një akti terrorist.

Mbrojtja dhe vetë Gavriç në vazhdimësi e kanë kundërshtuar pretendimin e prokurorisë, duke deklaruar se personi në fjalë ishte vetëm transportues i lëndës plasëse, që ishte planifikuar për shitje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA