Çështja e trajnerit të kombëtares vazhdon të diskutohet në ambientet e Federatës Italiane të Futbollit.
Antonio Conte ende nuk ka vendosur nëse do të rinovojë kontratën apo jo dhe në qeverinë e futbollit italian askush nuk dëshiron që të gjendet i papërgatitur.
Tashmë në Federatë po mendohet për të gjetur emrin e atij që do të mund të zëvendësojë Konten në stolin e “Të Kaltërve” dhe kandidaturat nuk mungojnë.
Në median italiane është përmendur emri i Masimiliano Alegrit dhe Fabio Kapelos, ndërkohë që së fundmi ka filluar të përmendet edhe ai i Roberto Mancinit.
Mancini ka një kontratë me Interin deri në vitin 2017 dhe Thohir kërkon që ta shndërrojë në “Fergusonin e zikaltërve”. Por trajneri duket se po tundohet shumë nga ideja për të marrë drejtimin e skuadrës italiane duke parë se Ancelotti nuk është më pengesë pasi ai do të drejtojë Bajernin e Mynihut duke filluar nga sezoni 2016/2017.
Gjithsesi, gjithçka do të varet nga Antonio Konte dhe vendimi që ai do të marrë, por lista e zëvendësuesve të tij është gati në Federatë.
Ndërkaq, edhe te Interi nuk duan të gjenden të papërgatitur në rast largimi të Mancinit. Presidenti i klubit milanez, Erik Tohir po mendon për një rikthim të Murinjos në stolin e Interi, me portugezin që në këtë moment po monitoron situatën e Mançester Junajtid.
Top Channel