Australian Open, eliminohet Rafael Nadal

19/01/2016 11:25

Dita e dytë e Australian Open shënoi surprizën më të madhe, eliminimin e Rafael Nadal që në raundin e parë. Numri 5 i renditjes botërore u mund në derbin spanjoll me Fernando Verdasko me rezultatin 2-3, në një ndeshje në të cilën ishte shumë pranë fitores.

Për Nadal kjo është hera e parë që eliminohet në raundin e parë në turneun e Melbërnit dhe hera e dytë në turnetë Grand Slam.

Verdasco fitoi setin e parë 7-6, por Nadal iu përgjigj duke fituar 2 të tjerët 6-4; 6-3. Madrileni barazoi gjithçka duke fituar setin e katërt 7-6, për ta çuar ndeshjen në set final.

Në këtë fraksion të lojës, Nadal mori kryesimin në 2-0, por nuk e ruajti dot këtë avantazh. Verdasko e theu 3 herë Nadal me shërbimet e tij për të fituar në fund këtë set 6-2.

Krejtësisht ndryshe ndodhi me Andy Murray, që u kualifikua me lehtësi për në raundin e dytë. Tenisti britanik, numri 2 i botës, ishte dominues në ndeshjen me Aleksander Zverev, të cilin e mposhti me rezultatin 3-0 me sete 6-1;6-2;6-3.

Në kampin e femrave, ëndrrat e Venus Uilliams për të fituar titullin e parë në karrierë në Australian Open u thyen që në raundin e parë. Tenistja amerikane u eliminua nga britanikja, Joana Konta, e cila e fitoi këtë ndeshje me rezultatin 2-0. Venus, e rikthyer në fushat e lojës gjatë 2015 kur arriti të vendosë emrin e saj mes 10 më të mirave në renditjen WTA, e kishte të vështirë të përballonte kundërshtaren e saj që i fitoi setet 6-4; 6-2 në 79 minuta lojë.

U kualifikuan për në raundin e dytë edhe spanjollja Mugurusa dhe tenistja serbe Ana Ivanovic.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA