Turneu i parë Grand Slam i vitit në tenis nis nën hijen e skandalit. Sipas rrjetit televiziv britanik BBC dhe BuzzFeed News, nga hetimet e kryera nga Tennis Integrity Unit rezulton se në 10 vitet e fundit 16 tenistë të klasifikuar në 50 vendet e para të renditjes ATP dyshohen se kanë trukuar ndeshjet.
Mësohet se mes këtyre sportistëve nën hetim ka edhe fitues të ndonjë turneu Grand Slam. Në dokumentacionin që është në zotërim të BBC dhe BuzzFeed, përfshihet edhe rezultati i hetimeve të ndeshjeve mes Nikolai Davidenko dhe Martin Argejo në vitin 2007. Të dy tenistët në fund u liruan nga akuzat, por hetimet vijuan në kërkim të një lidhjeje mes sportistëve dhe organizatorëve të basteve klandestine në internet.
Mësohet se ky rrjet i organizimit të basteve klandestine e ka bazën në Rusi, Italinë e veriut dhe Siçili, ndërkohë që shifra e vendosur për ndeshjet që dyshohen të trukuara është me mijëra euro. Në të njëjtën kohë, në dokumentin e zotëruar nga BBC ekziston edhe një listë e tenistëve ende në aktivitet që janë të përfshirë në këtë skandal, por BBC preferon të mos i publikojë emrat e tyre.
Nga hetimet e kryera rezulton se 3 nga ndeshjet e trukuara janë të turneut Wimbledon, ndërkohë që 8 prej tenistëve që dyshohen të përfshirë në trukimin e ndeshjeve janë pjesëmarrës edhe në edicionin e këtij viti të Australian Open.
Ndërkaq, ATP-ja, nëpërmjet presidentit të tij Kris Kermod reagoi menjëherë ndaj këtyre akuzave duke i hedhur poshtë në mënyrë kategorike, duke theksuar se institucioni që ai drejton do të bëjë hetimet për çdo informacion që vjen në lidhje me akuza të tilla.
Top Channel