Presidenti çek Milos Zeman, fajëson kulturën islamike për sulmet e natyrës seksuale në Këln të Gjermanisë dhe në një deklaratë mjaft të ashpër përcolli bindjen që në Europën lindore nuk e ndan vetëm ai: integrimi i myslimanëve në kulturën e Perëndimit është praktikisht i pamundur.
“Eksperienca e shumë shteteve të Europës perëndimore tregon se ato kanë geto, kanë zona të vetat të shkëputura nga të tjerët, krejtësisht të veçuara. Kjo për mua është dëshmi e faktit se komuniteti mysliman nuk integrohet. Ndaj them, lërini ta ndjekin kulturën e tyre në vendet e veta dhe të mos e sjellin në Europë, përndryshe do të përfundojmë të gjithë si Këlni. Integrimi është i mundur mes kulturave të ngjashme dhe ky nuk është rasti”, ka deklaruar Zeman.
Duke qëndruar në këtë argument, Zeman nënvizoi se komunitetet ukrainase e madje edhe ato vietnameze kanë mundur të harminozohen me shoqërinë çeke.
Por kur vjen fjala tek myslimanët, politikani 71-vjeçar, i pari president i Republikes Çeke i zgjedhur direkt nga populli, nuk ka e ka fshehur asnjëherë kundërshtinë e tij.
Zëri i Zeman ka qenë një ndër më të fortët ndaj dallgës së emigrantëve në Europë dhe nuk ka ngurruar edhe t’i akuzojë refugjatët e varfër me “iPhone” se shfrytëzojnë fëmijët e tyre për të siguruar azil në Bashkimin Europian.
Top Channel