Burkina Faso, lirohen 126 pengje; 23 të vdekur nga sulmi në hotel “Splendid”

16/01/2016 16:44

126 persona u liruan pas sulmit të një grupi militantësh të armatosur ndaj një hoteli në Uagadugu të Burkina Fasos, ku raportohet të jenë vrarë të paktën 23 vetë, mes tyre dhe tre agresorë.

Disa persona të maskuar mësyne hotelin “Splendid” e morën peng njerëzit që gjetën aty, ndërsa jashtë shpërthyen dy makina të mbushura me eksploziv.

Ishin me të vërtetë skena ferri nga një goditje e mirorganizuar, që detyroi ndërmarrjen e një operacioni ushtarak. Në mesin e të liruarve ishte dhe ministri i Punëve Publike, Clement Sawadogo.

Me dhjetëra persona, sipas zyrtarëve vendas, kanë marrë trajtim mjekësor në spital. Breshëritë e të shtënave në katet e sipërme të godinës vazhduan gjatë, ndërsa pati raportime për mësymjen e një tjetër hoteli të ndodhur shumë pranë “Splendid”.

Në shpëtimin e pengjeve nga hoteli, i përdorur sidomos prej punonjësve të OKB-së dhe shtetasve perëndimorë, u përfshinë trupat burkiniane dhe njësi komandosh franceze.

Shifrën e 23 të vdekurve e dha shefi i spitalit ku u dërguan të lënduarit, Robert Sangare, i cili sqaroi se viktimat kanë humbur jetën në sulmin fillestar, përpara se forcat e sigurisë të mësynin hotelin.

Zyrtarisht, një numër total të jetëve të humbura ende nuk ka. 10 trupa të pajetë janë gjetur ndërkohë në ambjentet e jashtmë të një kafeneje aty pranë, “Cappuccino Caffe”, e sulmuar edhe kjo nga militantët.

SITE, grupi monitorues i rrjeteve xhihadiste, thotë se pas goditjes së hotelit me 4 yje qëndron Al Kaeda në Magrebin Islamik në bashkëpunim me pjesëtarë të grupit ekstremist Al Murabitoun.

Ky i fundit e ka bazën në shkretëtirën e Saharasë, në veri të Malit, dhe përbëhet më së shumti nga luftëtarë besnikë të militantit veteran nga Algjeria, Mokhtar Belmokhtar.

Xhihadisti me një sy është shpallur disa herë i vdekur, e fundit nga të cilat ishte qershorin e vitit të kaluar kur u tha se vdiq nga një sulm ajror amerikan në Libi. Megjithatë, vdekja e tij nuk është konfirmuar kurrë zyrtarisht. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA