E enjtja ishte një ditë e ngjeshur për klasën politike, e mbushur me takime nga të gjitha kampet, që nisën që në orët e paradites dhe zgjatën deri në orët e mbrëmjes, ku LSI doli me një deklaratë ku thotë se do të paraqesë në Komisionin e Posaçëm të premten, disa propozime “për të përmirësuar draftin e ekspertëve”.
Kjo forcë politike ka shprehur rezerva për draftin e paraqitur dhe sa më shumë kalon koha, aq më tepër vërehet kjo, ndërkohë që Partia Demokratike ka shprehur që në fillim të javës qëndrimin e saj kundër draftit të propozuar.
Si mund të lexohen këto lëvizje të klasës politike? A po dështon reforma në drejtësi dhe për më tepër, a po shkon maxhoranca drejt prishjes së saj finale?
Për këto dhe të tjera pyetje, këtë të enjte në Top Story ishin të pranishëm në panel, veç analistëve, edhe ekspertët Sokol Sadushi dhe Gent Ibrahimi, që të dy të vënë në qendër të kritikave të opozitës si “hartues të një drafti që kap politikisht drejtësinë”.
Juristi Gent Ibrahimi tha se ka akoma keqkuptime në lidhje me këtë çështje.
“Unë nuk do të kisha pranuar kurrë një status politik. Formula që është konceptuar nga komisioni parlamentar ka qenë me ekspertë që do të caktoheshin nga institucionet që janë aktive në fushën e drejtësisë, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria. Këto janë institucionet që kanë sjellë ekspertë që përbëjnë ekipin e reformës”, thotë Gent Ibrahimi.
“Ne vijmë nga institucionet dhe përfaqësojmë vetveten. E konsideroj veten të pavarur. Le ta vlerësojë publiku nëse ne gjatë veprimtarisë tonë ndër vite kemi qenë të pavarur dhe për ta provuar këtë është puna. Shikoni punën tonë ndër vite dhe vlerësoni nëse jemi të pavarur apo jo”, tha eksperti Sokol Sadushi.
Për gazetarin, Basir Çollaku, reforma në drejtësi ka mbetur pezull e vullnetit politik dhe më shumë sesa ligjet, i rëndësishëm është vullneti i klasës politike për ta zbatuar atë dhe për të ndëshkuar të korruptuarit në sistem.
“Reforma është e varur nga vullneti politik dhe jo nga ekspertiza. Politika dhe drejtësia i kanë bërë qoka njëra-tjetrës në gjithë këto vite”, tha Çollaku.
Nga ana e tij, Mustafa Nano foli për raportin PS-LSI brenda maxhorancës. Ai tha se pavarësisht asaj që mund të shikohet dhe interpretohet në publik, kjo shumicë do të përfundojë mandatin e vet qeverisës.
“Unë kam bindjen që kjo maxhorancë, pavarësisht tendencave për të bërë harakiri, do ta përfundojë këtë mandat”, deklaroi ai.
Sokol Sadushi foli për Këshillin e Emërimeve. Ai tha se ky këshill nuk la lidhje me KLD-në dhe është një organ i përkohshëm. A po shkelen këshillat e Venecias?
Ai thotë se Venecia nuk hedh poshtë 3/5-at.
“Venecia ka dhënë një orientim ku e merr të mirëqenë 3/5 dhe ja lë legjislacionit zbatues që të gjejë mekanizma sa i përket kritereve që të garantojë pluralizimin në këshilla”, deklaroi Sadushi duke shtuar se në këtë draft, politika nuk ka kompetenca.
Për analistin Arjan Vasjari, drafti është formula më e mirë që do të mbajë politikën në distancë nga drejtësia, por nuk do të shmangë ndikimin e saj në sistem, që sipas tij, është i pashmangshëm.
Eksperti Gent Ibrahimi i cilësoi komentet e Venecias mbi drafti si përpjekje për ë rafinuar zgjedhjet dhe jo qëndrime për të hedhur poshtë draftin.
Ndërkohë, pyetjes nëse drafti mund të hidhej në referendum, Ibrahimi iu përgjigj negativisht.
“Nuk kalon në referndum. Politika ka një pozicion të privilegjuar për referendumin. Me këtë Kushtetutë nuk kalon”, u shpreh Ibrahimi.
A është lënë pa u përfshirë në këtë reformë Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë?
“ILDKP nuk është lënë jashtë, por e gjithë veprimtaria e tij do të jetë pjesë e grupit të vlerësimit. ILDKP do të jetë pjesë e rëndësishmë me furnizim me materiale këtë Komisionin e Vlerësimit. ILDKP nuk është lënë jashtë, por është përfshirë në këtë”, sqaroi Sokol Sadushi.
Ndërkohë, Gent Ibrahimi i dha përgjigjie pyetjes se përse ndërpritet mandati i Prokurorit të Përgjitshëm.
“Prokuroria do të jetë një univers krejt i ndryshëm. Prokurori sot ka pushtet mbi dosjen dhe karrierën e vartësve të tij, është përfaqësues i akuzës në Gjykatën e Lartë. Kontrolli mbi dosjen dhe karrierën e vartësve të tij, ai nuk do të ketë më këto”, tha Ibrahimi.
Top Channel