Real dhe Atletico Madrid marrin nga FIFA të njëjtin ndëshkim si Barcelona për parregullistë e shfaqura në lidhjen e kontratave me futbollistë nën moshën 18-vjeçare. Dy ekipet e Madridit nuk do të mund të veprojnë në merkaton e transferimeve në sesionin e kësaj vere dhe atë të janarit 2017, por do të kenë mundësi të bëjnë blerje në sesionin aktual të merkatos.
Por jo vetëm kaq, Atletico dhe Real Madrid, përveç bllokimit në merkato u dënuan edhe me gjobë: respektivisht 821 mijë dhe 328 mijë euro.
Në një komunikatë të saj, FIFA bën të ditur se Atletico Madrid e ka thyer këtë rregull të saj për kontratat me minorenë në periudhën 2007-2014, ndërsa Reali në periudhën 2005-2014. Në të njëjtën kohë, FIFA u lejon këtyre dy klubeve që brenda 90 ditësh të rregullojnë situatën në lidhje me kontratat e këtyre futbollistëve. Në rastin e Atletico Madrid, ndëshkimi përfshin të gjitha seksionet, përveç futbollit të femrave.
Gjithsesi, ashtu si në rastin e Barcelonës, Reali e Atletico do të kenë mundësi të shesin lojtarë, të bëjnë rinovimet me futbollistët aktualë si dhe të kthejnë në ekipe ata lojtarë që janë dhënë në formë huazimi në klube të tjerë.
Federata Ndërkombëtare e Futbollit po hetonte Realin dhe Atleticon prej 1 viti. Drejtuesit e këtij institucioni i kërkuan Federatës Spanjolle (RFEF) që t’i vinte në dispozicion të gjithë dokumentacionin në lidhje me kontratat e minorenëve dhe moshën e futbollistëve të huaj që luajnë në ekipet zinxhirë. Pas studimit të dokumentacionit dhe pasi u analizuan të gjitha të dhënat, Komisioni i Disiplinës te FIFA, që drejtohet nga zvicernai Klaudio Sulser, mori edhe vendimin për të dënuar ekipet madrilene me bllokim të merkatos.
Top Channel