Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Top Channel ka deklaruar se nuk ka ngërç për reformën në drejtësi dhe asnjë ndryshim në qëndrimin e mazhorancës.
Shefi i qeverisë ka thënë se, politika duhet të diskutojë dhe kërkojë konsensus mbi një draft pasi të ketë thënë fjalën e fundit Komisioni i Venecias, ndërsa ka theksuar se nuk ka asnjë krizë me LSI-në dhe Ilir Metën. Me kryeministrin Rama bisedoi gazetari Muhamed Veliu.
TCH: Zoti kryeministër, ekspertët e nivelit të lartë e kanë përfunduar punën dhe topi ndodhet në fushën e politikës për t’i parë sugjerimet. Pse komisioni parlamentar për reformën në drejtësi nuk po e shqyrton draftin?
Edi Rama: Procedura kërkon që komisioni i reformës të mblidhet dhe ai do të mblidhet nesër dhe draftin me reflektimet mbi opinionin e Komisionit të Venecias t’ia dërgojmë Venecias për raportin final. Dhe pasi të merret raporti final, komisioni parlamentar do të ulet për të diskutuar e miratuar mbi bazën e raportit final nen për nen ndryshimet kushtetuese.
TCH: Zoti kryeministër, mbrëmjen e djeshme dhe paraditen e sotme keni zhvilluar takime me aleatin tuaj, Ilir Meta. Cilat janë çështjet që ju ndajnë apo ju bashkojnë për reformën në drejtësi?
Edi Rama: Kjo është një reformë historike, themelore në procesin e shtetndërtimit dhe jetike në përpjekjen për të transformuar sistemin e drejtësisë. Dhe si e tillë do të ishte anormale të mos kishte diskutim, debat dhe kundërshtime. Por, unë dua të theksoj se ne jemi në koherencë të plotë qoftë me procesin, qoftë me nevojën për të respektuar kalendarin e dakordësuar me Komisionin e Venecias, qoftë me detyrimin për t’i dhënë mundësinë Parlamentit që të miratojë një reformë që duhet dhe jam i bindur se do çelë një epokë të re në sistemin e drejtësisë. Thënë këto, dua të theksoj që dakordësia është e plotë, procesi do vijojë siç është parashikuar dhe padyshim është pjesë e procesit që palët të shfrytëzojnë këtë mundësi që veç draftit të punuar nga grupi i ekspertëve të kërkojnë nga Venecia shpjegime plotësuese lidhur me mënyrën e interpretimit të rekomandimeve të opinionit, mbi të cilin janë bërë dhe reflektimet e draftit.
TCH: Thoni që keni dakordësi me Metën, por dje Meta tha se për reformën duhet të jetë patjetër e përfshirë PD. A ndani të njëjtin qëndrim?
Edi Rama: Ndaj absolutisht të njëjtin qëndrim, por i qëndroj bindjes se konsensusin me opozitën nuk mund ta kërkojmë në havanë e sherrit politik, por mbi bazën e raportit final të Komisionit të Venecias. Konsensusin e garanton këndvështrimi i Venecias, duke u bazuar në faktin se të gjitha palët e konsiderojnë atë pikë referimi të besueshme e të palëkundur. Dhe përsa kohë kemi këtë konsideratë, është Venecia që do të na ndihmojë në raportin final për të çelur një rrugë të sheshimit të mosmarrëveshjeve, që janë rezultat i një leximi të ndryshëm. Dhe praktikisht kemi rastin konkret të një leximi të ndryshëm për shumicën e cilësuar, por dhe aspekte të tjera më teknike. Atëherë, raporti final vlen si bazë për të çelur rrugën e një dialogu, pasi drafti përfundimtar do diskutohet në komisionin parlamentar dhe do të jetë ai që do t’ia përcjellë Kuvendit.
TCH: Ju e përshkruani si një sherr politik, por a jeni i gatshëm që këtë sherr ta zgjidhni siç ka propozuar presidenti i Republikës, që ju personalisht, lideri i opozitës dhe Ilir Meta të uleni në një tryezë të përbashkët?
Edi Rama: Nuk ka asnjë nevojë e asnjë shans që ne të ulemi në një tryezë të përbashkët dhe të gjejmë zgjidhje pa Komisionin e Venecias. Për këtë arsye duhet të shterrojmë mundësinë e Venecias dhe të përmbushim marrëdhëniet me Venecian në bazë të kalendarit të dakordësuar dhe mbi atë bazë mund të ketë diskutime nëse ka ende mosdakordësi.
TCH: Megjithatë, zoti kryeministër, ekspertët e opozitës thanë dje se drafti i Ministrisë së Drejtësisë ka “brum”. A jeni gati ta diskutoni këtë draft?
Edi Rama: Nuk ka një draft të Ministrisë së Drejtësisë. Ministria është pjesë e strukturës së qeverisë, e cila që në fillim ka mbajtur distancë ndaj këtij procesi, duke filluar nga unë në radhë të parë. Qeveria ka mbajtur distancë, procesi i është lënë Kuvendit dhe Kuvendi ia ka besuar komisionit parlamentar. Ministria e Drejtësisë është një nga palët dhe si shumë palë të tjera ka propozuar ekspertë për ta përfaqësuar, të cilët nuk janë as punonjës të saj, as të qeverisë dhe as përfaqësues të qëndrimit politik të qeverisë. Dhe nëse këta ekspertë kanë sugjeruar se këtu ka një brum, ky brum është pjesë e gjithë brumit të prodhuar në 1 vit e kusur, që duhet të vendoset në tavolinën e Komisionit të Venecias për konsideratën e KV. Ndërkohë, secila nga palët politike ka jo vetëm të drejtën, por dhe detyrimin nëse e sheh të arsyeshme, që në aneksin e materialit të vendosë pyetjet apo sugjerimet e mundshme për t’u marrë në konsideratë nga KV. Dua të theksoj se nga opinionet e palëve, në rastin konkret të PD dhe LSI, qoftë Komisioni i Venecias, qoftë grupi i ekspertëve ka marrë brum për t’ia bashkangjitur brumit të madh të krijuar në këtë 1 vit e gjysmë. Pra, janë reflketime të arsyeshme dhe jo vetëm të pranueshme, por të mirëpritura.
TCH: Zoti kryeministër, dje keni patur një takim me ambasadorët Lu dhe Vlahutin, çfarë ju është kërkuar?
Edi Rama: Nuk më është kërkuar asgjë dhe nuk kam kërkuar asgjë. Kemi biseduar për ecurinë e procesit dhe siç kam qenë në ditën e parë, edhe sot e nesër do të jem në koherencë të plotë me këndvështrimin e dakordësuar me partnerët strategjikë të Shqipërisë, ShBA dhe BE, që përfaqësohen nga ambasadorët Lu dhe Vlahutin.
TCH: Zoti kryeministër, a është referendumi zgjidhja në kushtet e mosgjetjes së një dakordësie politike për reformën në drejtësi?
Edi Rama: Për referendumin duhet dakordësia e dy të tretave të Parlamentit. Unë jam absolutisht pozitiv dhe i gatshëm të shkojmë në referendum nëse palët gjykojnë se populli duhet pyetur në këtë proces dhe në rast se dakordësia e plotë mes palëve që përfaqësojnë popullin në Parlament nuk është e mundur, ajo do të ishte rruga më e mirë e transparente për të gjitha palët, në mënyrë që secili të ndihet i qetë kur të ngrejë dorën për t’i dhënë votën dhe për t’i vënë vulën ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
TCH: Pra, nga këto që thatë reforma në drejtësi nuk ndodhet në një ngërç, apo jo?
Edi Rama: Absolut jo. Nëse i referohemi procesit, mediave apo kunjave dhe propagandës nga burime nga më të ndryshmet, politike e mediatike, reforma në drejtësi duhet të kishte vdekur. Por mbetem i mendimit që vazhdojmë të kemi një problem të madh në këtë vend, ku në të shumtën e herëve media i sajon vetë, i komenton vetë, i merr vetë për të vërteta dhe pastaj kërkon llogari nga ne.
TCH: Zoti kryeministër, pse nuk u zhvillua darka e deputetëve të mazhorancës, pasi ka shumë ide konspirative për të. Pse u anulua?
Edi Rama: Darka ishte caktuar të zhvillohej para Vitit të Ri. Për mospërputhje axhendash nuk u bë e mundur. U la në parim që do të bëhëj pas Vitit të Ri. Pas Vitit të Ri patëm probleme me zonat e përmbytura dhe e pamë të arsyeshme që në këtë moment të mos sfidonim opinionin publik me një perceptim, që do të ishte i gabuar, se këta hanë e pinë ndërsa ne kemi probleme të tjera.
TCH: Zoti kryeministër, faleminderit për kohën tuaj.
Edi Rama: Faleminderit juve.
Top Channel