PD, sërish akuza ndaj Beqajt: Kaloi 1,3 mld lekë në firmën e tij

14/01/2016 13:55

Partia Demokratike, përmes deputetit Luçiano Boçi ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, se pasurohet ndërkohë që gjendja në spitale është skandaloze dhe më kritike se kurrë.

“Kur qytetarët nuk marrin shërbimet e duhura, kur mungojnë medikamentet dhe radhët e prindërve, fëmijëve të vegjël dhe të moshuarve janë dramatike, me pamjet që kanë dalë në media, biznesi i Ilir Beqës njeh rritje. Qeveria ka menduar që kampioni i korrupsionit të marrë një pako të mirë me para edhe ditën e Vitit të Ri”, ka deklaruar Boçi.

Ai ka thënë se, edhe pse më 31 dhjetor qeveria mbylli sportelet, ajo sipas tij nuk mbylli arkën e shtetit për Ilir Beqajn, “që kaloi tek firma e tij private 1 miliard e 300 milionë lekë”.

“Kur mijëra familje në vend nuk gëzonin dot natën e Vitit të Ri prej varfërisë, mungesës së gjelit në tavolinat e tyre, Ilir Beqaj i kishte shtuar pasurisë së tij edhe 1 miliardë e 300 milionë lekë.

Teksa numri i tenderave për “Intech Plus”, kompania e themeluar nga Beqja, shtohet çdo ditë, paratë e marra nga taksat e shqiptarëve kanë kaluar shumën e 12 milionë dollarëve.

Ky është korrupsioni i thellë e i pandalshëm i kësaj qeverie, i Edi Ramës dhe 40 hajdutëve të tij. Kjo hajdutëri prej 3 vitesh sundon vendin, varfëron shqiptarët dhe pasuron Edi Ramën e ministrat e tij.

Ky është viti i fundi i kësaj klike zhvatëse. Qytetarët, populli është në këmbë për të ndalur vjedhjen, abuzimin, plackitjen e parave dhe pasurisë së shqiptarëve”, ka thënë Boçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA