Juventusi në merkato, kërkohen Bernardo Silva dhe Cavani

14/01/2016 12:00

Juventusi ka nisur planet për merkaton. “Zonja e Vjetër” kërkon që në muajin qershor të zëvendësojë Alvaro Moratën, të cilin duket se Reali i Madridit do ta riblejë. Së fundmi, në ambientet e kampionëve të Italisë po përmendet emri i Edinson Cavanit, i cili ka shprehur pakënaqësitë ndaj Paris Saint Germain, ndërkohë që ka edhe raporte të vëshitra me futbollistët e tjerë të skuadrës franceze.

Për shkak të kësaj situate, te drejtuesit e Juventusit, që e pëlqejnë sulmuesin uruguajan, po mendohet që pas disa muajsh të nisin bisedimet për transferimin e tij në Torino. Problemi në këtë pikë qëndron te paga e futbollistit, që është 12 milionë euro në sezon, së bashku me bonuset. Nëse Cavani e bën një sakrificë, atëherë Juventusi nuk do të ngurrojë ta bëjë tentativën e tij për ta kthyer atë në Serinë A.

Por Juventusi mendon edhe për aktualitetin. Skuadra italiane dëshiron të bëjë një përforcim në repartin e mesfushës në merkaton e këtij muaji dhe emri që po përmendet është ai i Bernardo Silvës (Monaco). Sipas asaj që publikohet nga “Tuttosport”, drejtuesit e të dy klubeve duket se kanë rënë dakord që portugezi 21-vjeçar të transferohet në Torino në formë huazimi me të drejtë blerjeje në fund të sezonit.

Ajo që mbetet të përcaktohet është shifra që do të duhet të paguajë Juventusi nëse vendos ta blejë futbollistin në qershor dhe në këtë pikë palët janë të distancuara. Juventusi ofron 20-22 milionë euro, ndërsa Monaco kërkon 30 milionë, një distancë kjo që ka shumë të ngjarë që të reduktohet në ditët në vazhdim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA