Real Madrid, Zidane kërkon mesfushorin Pogba

13/01/2016 11:45

Zinedine Zidane bën kërkesën e tij të parë në merkaton e transferimeve. Sipas asaj që publikon e përditshmja spanjolle AS, trajneri i sapoemëruar i skuadrës “merengue” ka vënë në shënjestrën e tij mesfushorin Paul Pogba dhe tashmë pretendon që presidenti Florentino Perez ta sjellë lojtarin e përfaqësueses franceze në Santiago Bernabeu.

Zidane nuk e ka fshehur asnjëherë admirimin e tij për Pogba, ashtu sikurse edhe futbollisti për trajnerin e Realit. Për këtë arsye, Zidane, i cili më parë ka luajtur për Juventusin, kërkon që bashkëkombasi i tij të ndërmarrë të njëjtin hap dhe të lërë “Zonjën e Vjetër” për 10 herë kampionët e Evropës.
 
Por në këtë çështje Reali i Madridit duhet të përballet me pretendimet e Juventusit, që kërkon 100 milionë euro për të, sidomos me konkurrencën e fortë të Barcelonës. Kjo e fundit është vënë në ndjekje të futbollistit transalpin prej kohësh. Sipas AS, Ariedo Braida dhe Alberto Soler kanë zhvilluar edhe një takim me drejtuesit e kampionëve të Italisë, Marotta e Paratici, por pa mundur dot të arrinin një marrëveshje për Pogba, kjo edhe për faktin se Barcelona ishte e dënuar me bllokim të merkatos.
 
Por ajo që ka më shumë rëndësi për Realin e Madridit është që për këtë transferim të Pogba në Spanjë, të bindë agjentin e tij, Mino Raiola, raportet me të cilin nuk janë shumë të mira, pas refuzimit të Ancelottit 2 sezone më parë për të nisur tratativat për francezin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA