Pse (s)duhet t’i besojmë Serbisë?

13/01/2016 00:00

Fadil Lepaja – Nëse Asociacioni mund të jetë serb, përse atëherë Kosova nuk mund të jetë shqiptare? Kjo, gjithsesi, është një pyetje, që në radhë të parë duhet t’i përgjigjen përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë.

Ne kishim pranuar që Kosova të jetë shtet i qytetarëve të saj, jo se na kishin pyetur, por as ne nuk kishim kundërshtuar. Burokracia ndërkombëtare kishte bërë marrëveshje me oligarkinë dhe tash, shpesh vjen një situatë që, duke mbrojtur marrëveshjen i duhet të mbrojë edhe oligarkinë kosovare, prej qytetarëve të Kosovës. Tash, me Asociacionin, në këtë formë, duhet të pranojmë se Kosova nuk është më shtet i qytetarëve të saj, por i serbëve, të cilët janë qytetarë të “Asociacionit” dhe kosovarëve të tjerë …! Ne kishim besim te BE-ja. BE-ja na fton të kemi besim edhe te Serbia …!

Një diplomat fillestar sapo të lexojë titullin e këtij shkrimi, do të pyesë veten: E çfarë ka të bëjë marrëdhënia jonë me Serbinë, me besimin? Ka rregulla dhe parime kjo çështje, që duhen respektuar nga të gjitha palët në “lojë”. Dhe krejt kjo tingëllon pranueshëm, në rrethana kur me ndërmjetësimin e BE-së po bëhen përpjekje të arrihet me çdo kusht dhe sa më shpejt një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pa bërë përpjekje që të ndërtohen marrëdhënie të reja mes dy komuniteteve. Në këtë tregim, serbët janë të përkëdhelurit, të llastuarit, ndërsa kosovarët janë ata që besojnë.

Kjo përpjekje për normalizim të sforcuar, ku shqiptarët duhet të pranojnë gjithçka vetëm që serbët të pranojnë rrugën europiane, e ka sjellë vendin para një shpërthimi të pakënaqësive të ngjashme me ato të paraluftës … Mediat sjellin pamje të vitit 1999, kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë, pamje që as që mund të imagjinoheshin. Pas 16 vitesh, shumë kosovarë nuk po e përjetojnë si liri atë që është krijuar me shumë mund dhe shumë shpenzime nga bashkësia ndërkombëtare në Kosovë. Situata rrezikon të dalë edhe prej kontrollit të institucioneve dhe strukturave ndërkombëtare këtu, duke rrezikuar përzierjen e të gjithë faktorëve që kanë kapacitete për të shkaktuar kriza ndërkombëtare. Krizat ndërkombëtare, pastaj, janë “biznes” më vete.

A mund të jetë kjo çështje besimi? Natyrisht, këtu nuk e kam parasysh atë këshillën e “pleqve” tanë me bagazhin e përvojës historike, të cilët thoshin se Serbia nuk ka besë, por mendoj në raportin e politikës (europiane) dhe të besimit. Në një emision televiziv, në kanalin publik, përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë arsyetonte pa sukses përpara gazetarit serb, i cili po e shtronte tezën se serbët janë të vetmit që po kontribuojnë për normalizim të marrëdhënieve. “Sakrifica” serbe, në këtë rast, i bie të jetë integrimi në shoqërinë kosovare. Të kuptohemi. Sipas rregullave “anacionale” të BE-së, në Kosovë ka veç kosovarë dhe serbë. Askush nuk e vëren faktin e habitshëm, se një popull i tërë pikërisht për hatër të integrimit të komunitetit serb, nuk e përmend përkatësinë e vet etnike shqiptare në asnjërin nga dokumentet bazike, e madje as në Kushtetutën e vendit. Kosova nuk është shtet i shqiptarëve shumicë dhe qytetarëve të tjerë që jetojnë këtu, sikurse është për shembull shteti i Serbisë: “shtet i popullit serb dhe qytetarëve të tjerë” që jetojnë atje. Kosova është shtet i shtetasve të tij. Ndërkohë që, kërkohet të kihet mirëkuptim për karakterin nacional të “Asociacionit”.

Mos qeshni! Ky ishte formulimi i famshëm që doli nga presioni ndërkombëtar e që synonte të mos irritohen serbët në Kosovë. Se pastaj … nuk duan të integrohen.

A mund të normalizohen marrëdhëniet me imponime? A duhet shqiptarët e Kosovës të pranojnë privilegjet dhe kastën e re serbe në Kosovë, duke hequr dorë nga liria e tyre? A duhet të pranojnë që, nën organizimin e BE-së të organizojnë “pelegrinazh” në vendet ku shteti serb ka bërë krime, për të cilat ende nuk është gjykuar? Cili është ai argumentim që do të na nxirrte faqebardhë para fëmijëve tanë, jo vetëm atyre shqiptarë, kur të pyesin përse në këtë shoqëri ka kasta dhe privilegje? A guxojmë ta instalojmë këtë logjikë në një vend që synon të jetë pjesë e BE-së? E keqja më e madhe në krejt këtë histori është se kjo po imponohet si domosdoshmëri, pasi Serbia nuk po pranon ndryshe të hyjë në BE, përpos si e privilegjuar, dhe se BE-ja aktualisht ka interes strategjik që ta integrojë Serbinë në radhët e saj. A është edhe Kosova interes strategjik i Europës? Kush mund të na thotë se cili është shkopi dhe cila karota në këtë “lojë”?

Edhe nëse për kosovarët ka karotë europiane në këtë rast, gjithsesi duhet ta ketë ngrënë oligarkia kosovare, ndërkohë që qytetarët e Kosovës ende po detyrohen të bëjnë klandestinin që i kalon kufijtë duke rrezikuar jetën dhe të protestojë për të instaluar edhe këtu parimet më elementare europiane të lirisë e së drejtësisë.

Padyshim, duke mos pranuar si të duhura as metodat dëshpëruese të faktorizimit të opozitës kosovare, e cila kategorikisht nuk pranon asnjë pazar me të drejtat qytetare dhe njerëzore, duhet potencuar veçanërisht mungesa e argumenteve të qëndrueshme të përfaqësuesve ndërkombëtarë kur kërkojnë nga shqiptarët të pranojnë arrogancën serbe sikur diçka që të çon në normalitet. Nëse ka rebelim në radhët e opozitës, dhe rebelim të tillë ka, sepse “molotovët” kurrsesi nuk mund të quhen mjete demokratike me të cilat protestohet, atëherë kjo opozitë është produkt i drejtpërdrejtë i angazhimit joparimor të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe aleancës së saj me oligarkinë e korruptuar e të kriminalizuar.

Zërat që arsyetojnë dhunën, e cila po merr përmasa shqetësuese gjithsesi, duhen kuptuar si një alarm përpara se bomba e kurdisur e quajtur Kosovë të shpërthejë në duart e burokracisë së korruptuar ndërkombëtare. Duket sheshit, se qytetaria kosovare më nuk do t’i pranojë pazaret me të drejtat e tyre qytetare e as me rrugën europiane të vendit. Normalizim po, por mbi parimet e reciprocitetit e të barazisë.

Por të kthehemi tek argumenti fillestar. Nëse është bërë një marrëveshje me lëshime që, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese prekin vetë frymën e Kushtetutës, si mendon qeveria ta rikthejë normalitetin në vend, pa e adresuar përgjegjësinë për këto kompromise joparimore? A do të vazhdohen negociatat në të njëjtën frymë dhe me të njëjtët “ekspertë”? Një mënyrë është padyshim “freskimi” rrënjësor i ekipit negociues, i cili nuk do të përfaqësojë veç oligarkinë kosovare dhe burokracinë ndërkombëtare, por edhe zërin e qytetarisë kosovare, të shprehur në një peticion me mbi 200 mijë nënshkrime. Mënyrë tjetër është që edhe vetë segmente të qeverisë të marrin përgjegjësi për lëshimet, e rrjedhimisht, edhe për acarimin e raporteve pozitë-opozitë që solli vendin buzë humnerës. Kush tjetër, përpos qeverisë, mund të bëjë hapin e parë të krijimit të besimit dhe kthimit të normalitetit në shoqëri? Kjo apo ndonjë qeveri tjetër?!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA