LSI: S’ka reformë pa konsensus, por nuk kemi qëllim kapjen e drejtësisë

13/01/2016 13:20

“Lëvizja Socialiste për Integrim mbetet e bindur se konsensusi politik në Parlament për amendamentet kushtetuese është i domosdoshëm jo thjesht si çështje numrash, por si një bashkim vullneti politik të forcave parlamentare”, tha kreu i kësaj force politike, Ilir Meta.

Nga mbledhja e Kryesisë së LSI-së, togfjalëshi më i përdorur i kryetarit Ilir Meta, për reformën në drejtësi, ishte ai i konsensusit dhe i gjithëpërfshirjes. Megjithëse bëri një rikujtesë të gjatë të procesit të hartimit të reformës territoriale, ku tha se opozita u vetëpërjashtua, Meta megjithatë u kujtoi gjithsecilit prej aktorëve politikë se, cilat janë detyrat e tyre në procese të rëndësishme për vendin, siç është edhe reforma në drejtësi.

“Është detyra jonë, si LSI dhe si mazhorancë, të krijojmë të gjithë hapësirën e nevojshme për opozitën, ashtu sikurse – e theksoj, siç kam bërë edhe më parë, – se është një detyrim i pashmangshëm i opozitës, të kontribuojë në këtë dialog me profesionalizëm dhe jo me populizëm”, tha Meta.

Në besimin e Ilir Metës, pikat ku palët bashkohen janë më të mëdha sesa ato ku ndahen. Për këtë të fundit, zgjidhja sipas tij është Komisioni i Venecias. Duke parë këtë si rrugën e gjetjes së kompromisit politik, Ilir Meta tha qartë se çfarë është e papranueshme për forcën e tij politike.

“Logjika e faktit të kryer, për çështje shumë të mëdha që shqetësojnë qytetarët, është e papranueshme dhe vetëm qëndrimi parimor do të na udhëheqë në të gjithë vendimmarrjen tonë politike. Vendi është përballur edhe më parë me vendime të nxituara dhe jotransparente, që kanë prodhuar efekte negative në afatgjatë, siç ishin edhe ndryshimet kushtetuese të prillit të vitit 2008. Prandaj, është veçanërisht e rëndësishme që ky proces të mos jetë përjashtues apo përçarës, por të jetë gjithëpërfshirës, shterues dhe të marrë në konsideratë punën e rëndësishme të deritanishme, rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe dialogun konstruktiv të palëve kontribuuese në këtë proces. Politika e faktit të kryer ngushton mundësinë për dialog, konsensus dhe mirëbesim, provokon ndarje dhe shpikje fajtorësh. Prandaj kërkojmë nga të gjithë përgjegjshmëri dhe angazhim të pandalshëm konstruktiv”, tha Meta.

Duke nënvizuar disa herë frymën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, si çelësin e gjetjes së zgjidhjes politike mes palëve, Ilir Meta për herë të parë artikuloi edhe çuarjen e sugjerimeve te qytetarët, por pa thënë qartë nëse me këtë nënkuptoi propozimin për referendum.

“Rekomandimet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias janë të qarta për të gjithë ata që janë profesionistë dhe të paanshëm, ndërsa për të gjithë ata që duan të luajnë absolutisht ne këto sugjerime do t’ia japim publikut, qytetarëve, në mënyrë që në fund të gjykojnë ata me mendje të kthjellët, e pse jo edhe me çdo mënyrë tjetër cilindo që bëhet një pengesë për këtë reformë madhore për vendin tonë dhe për qytetarët tanë”, përfundoi Ilir Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA