I ftohti siberian mbërthen Europën, borë në veri-lindje; shi në jug

13/01/2016 17:55

Temperaturat në Siberi kanë arritur nivele ekstremisht të ulëta, minus 30 gradë, dhe kjo valë e të ftohtit është shpërndarë në të gjithë Europën.

I njohur ndryshe si “i ftohti siberian”, acari do të bëjë që ky dimër të jetë më i ashpri në vitet e fundit. Europa qendrore dhe ajo lindore janë përfshirë nga temperatura jashtëzakonisht të ulëta.

Sipas meteorologëve, pritet që gjendja e motit në këto rajone të përkeqësohet në ditët e ardhshme. Reshjet e dendura të shiut që shkaktuan përmbytje të shumta në Britaninë e Madhe janë zëvendësuar me reshje dëbore.

Po ashtu, edhe Gjermania, Franca dhe kryesisht Italia veriore po përballen me një dimër të vonuar por të pazakontë.

Së paku 50 njerëz kanë vdekur në Ukrainë dhe në Poloni, si pasojë e rrymave të akullta kontinentale që vijnë nga Siberia. Termometri në Sofje të Bullgarisë ka thyer rekordin duke arritur në minus 20 grade Celsius, temperatura më e ulët në 50 vjet.

Ndërkohë që Europa qendrore dhe ajo lindore do të vijojnë të mbulohen nga dëbora, reshjet e shiut do të përfshijnë jugun e Ballkanit. Ekspertët e shërbimit meteorologjik thonë se i ftohti i tillë do të zgjasë të paktën edhe 2 javë të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA