Rritja e nivelit të ujërave në liqenin e Fierzës si pasojë e reshjeve të dëborës dhe shirave të disa ditëve më parë ka risjellë ndotjen e basenit më të madh ujor në vend, ku tonelata mbeturinash janë depozituar në sipërfaqen e liqenit.
Është e njëjta ndotje masive si në periudha të mëparshme, e shkaktuar nga mbeturinat që transportohen nga rrjedha e lumenjve nga Kosova e Maqedonia.
Specialistët e ekosistemit e kanë kanë ngritur zërin për situatën që po përjeton ky liqen prej vitesh. “Në këtë situatë liqeni gjendet 2-3 herë në vit dhe pavarësisht përpjekjeve ne jemi sërish në këtë gjendje”, thotë specialisti Arben Palushi.
Niveli i ujit në liqenin e Fierzës po rritet me shpejtësi, ndërkohë që në ditët e ardhshme parashikohen depozita edhe më të mëdha të mbetjeve.
Ndërkohë, njoftohet se për shkak të stuhisë, në oreë e para të mëngjesit është dëmtuar rëndë linja e tensionit të lartë 110 kilovolt në qafën e malit, duke lënë pa energji qytetin e Kukësit, disa zona rurale përreth, si dhe tunelin e Kalimashit. Ekipet e OST-së janë në terren për riparimin e defektit.
Top Channel