Publikohet drafti i reformës; ndryshimet kushtetuese që propozojnë ekspertët e nivelit të lartë

12/01/2016 19:30

Bëhet publik drafti përfundimtar i ndryshimeve ligjore të ekspertëve të nivelit të lartë të reformës në drejtësi. Përveç sanksionimit në Kushtetutë të legjislacionit që lidhet me integrimin europian, dallimi mes këtij drafti dhe atij të ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë është mëse i qartë.

Ndërsa Ministria e Drejtësisë propozon që e gjithë kupola e sistemit të vijë nga radhët e gjyqësorit, ekspertët kanë një tjetër formulë të zgjedhjes së institucioneve të drejtësisë, duke i lënë kompetenca edhe politikës.
 
Duke nisur nga Gjykata Kushtetuese. Ekspertët e nivelit të lartë janë dakord që ajo të ketë 9 anëtarë, por emërimi i tyre bëhet 3 nga Presidenti, 3 nga Kuvendi në bazë të propozimeve të Këshillit të Emërimeve dhe 3 gjyqtarë të kësaj gjykate, thotë drafti, emërohen nga mbledhja e përbashkët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Administrative. Në këtë draft, Gjykatës Kushtetuese, si gjykata më e lartë në vend, i është hequr e drejta e shqyrtimit të ndryshimeve kushtetuese.
 
Pushteti gjyqësor, thonë ekspertët e nivelit të lartë, ushtrohet nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Lartë Administrative. Kjo e fundit është një tjetër ndryshim me draftin e Ministrisë së Drejtësisë që nuk e parashikon si një gjykatë më vete atë Administrative.
 
E drejta e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Administrative i është lënë Presidentit mbi bazën e propozimeve që vijnë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Por kreu i shtetit ka vetëm një herë të drejtën e refuzimit të kandidaturës. Nëse Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzon me shumicë dekretin e tij të mospëlqimit, kandidatura për këto gjykata konsiderohet e emëruar.

Ndryshe nga propozimet e Ministrisë së Drejtësisë që thonë se këto gjykata duhet të kenë në përbërje vetëm gjyqtarë, ekspertët e nivelit të lartë kanë lënë një kuotë prej një të pestës së anëtarëve për t’u emëruar nga radhët e juristëve jogjyqtarë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, propozojnë ekspertët e nivelit të lartë, duhet të përbëhet nga 11 anëtarë, prej të cilëve 6 vijnë nga votimi i gjyqtarëve të të gjitha niveleve dhe 5 nga Kuvendi, me 3/5 e votave.
Është ky këshill që ka në dorë emërimin, vlerësimin, ngritjen në detyrë dhe transferimin e gjyqtarëve të të gjitha niveleve.

Të njëjtën formulë dhe të njëjtat funksione ka edhe Këshilli i Prokurorisë. Edhe këtu, 6 anëtarë vijnë nga votimi i prokurorëve dhe 5 nga Kuvendi me 84 vota. Përveç emërimit dhe transferimit të prokurorëve, në draftin e ekspertëve, Këshillit të Prokurorisë i është lënë e drejta edhe e 3 propozimeve për Prokurorin e Përgjithshëm. Ky i fundit, thuhet në këto propozime, votohet në Kuvend me shumicë të cilësuar. Si mekanizëm zhbllokues në rast të mosarritjes së këtyre votave, ekspertët thonë se Prokurori i Përgjithshëm emërohet ai që është renditur më lart nga Këshilli i Prokurorisë.
 
Ekspertët kanë vendosur në këto propozime ngritjen e Tribunalit të Drejtësisë, që shqyrton çdo ankesë të njerëzve të sistemit të drejtësisë. Mbi këtë organ qëndron Gjykata Kushtetuese. Në këto propozime është parashikuar edhe ngritja e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, që shqyrton kërkesat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve.

Ekspertët e nivelit të lartë kanë vendosur në këto propozime edhe procesin e rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Për shmangien e abuzimeve gjatë procesit të vlerësimit, propozuesit thonë se garant do të jetë Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA