Nafta vazhdon të bjerë, por jo në Shqipëri

12/01/2016 14:25

Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare shënoi një tjetër pikë të ulët këtë të martë, duke cekur nivelin 31 dollarë. BBC raportoi se fillimisht çmimi ra deri në 30.4 dollarë për barrelë, por më pas u rekuperua duke u stabilizuar në nivelin 31.26 dollarë.

Ky është niveli më i ulët në 13 vitet e fundit. Çmimet e naftës kanë hyrë në një pikiatë të pandalshme që nga qershori i vitit të kaluar për shkak të ofertës së lartë dhe kërkesës së dobët.

Agjencia Amerikane e Energjisë njoftoi se, për shkak të mbiprodhimit konstant, botës janë duke i mbaruar magazinat e depozitimit të këtij produkti.

Por, pavarësisht se në treg ka tepricë të ofertës, vendet e OPEK nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për të reduktuar prodhimin e naftës, për shkak të konflikteve që kanë me njëri-tjetrin.

Kjo ka bërë që rënia e çmimit të përshpejtohet, ku vetëm në dhjetë ditët e para të këtij vitit ato janë ulur me 20 për qind, duke cekur nivele që nuk ishin shënuar që nga viti 2003.

Ekspertët parashikojnë se çmimi i naftës do vijojë të mbetet i ulët. Sipas tyre, bota ka akumuluar rezerva të mëdha inventare aq sa edhe sikur prodhimi të ulej tani do të duhej kohë që këto teprcia të shiten.

Ulja e fortë e çmimit është duke lehtësuar konsumatorët në të gjithë botën. Sipas Global Petroleum Prices, në Gjermani, Britani dhe Belgjikë çmimet e naftës me pakicë kanë rënë me 10 cent të euros, ose gati 14 lekë për litër krahasuar me mesin e nëntorit, ndërsa në Shqipëri për të njëtën periudhë ato kanë rënë me rreth 5 lekë për litër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA