Kanë qarkulluar jo rrallë herë lajme mbi një largim të Lionel Messi-t nga Barcelona dhe destinacion kryesor asit argjentinas i vendosin Premier Ligën.
Por sa herë ka patur informacione të tilla, aq herë ka përgënjeshtruar vetë lojtari. Të njëjtën gjë bëri edhe pas marrjes së Topit të Artë një ditë më parë.
I pyetur nga gazetarët se ku ka ndërmend ta mbyllë karrierën e tij si futbollist (megjithëse duhen edhe ca vite të mira deri tek dita kur argjentinasi të varë këpucët në gozhdë), Messi u përgjigj prerë e qartë, ndoshta më qartë se gjithë herët e tjera.
“E kam thënë me qindra herë dhe është e njëjta përgjigjie, si gjithmonë. Ideja dhe dëshira ime është ta mbyll karrierën në shtëpi dhe shtëpia ime është Barcelona. Shpresoj të qëndrojë kështu përgjithmonë…shtëpia ime”, tha fituesi i Topit të Artë.
Messi dhe Barcelona kanë një marrëdhënie 15-vjeçare. Argjentinasi ka veshur për herë të para fanelën e katalanasve kur ishte 13 vjeç dhe u zhvillua si lojtar në ekipet zinxhir. Debutimin me skuadrën e parë e ka bërë më 16 tetor të vitit 2004 në derbin me Espanjolin.
Top Channel