Kriza e urisë, misionari i OKB-së: Evakuim urgjent banorëve

12/01/2016 08:45

Të paktën 400 vetë në qytetin e rrethuar sirian të Madayas duhen evakuuar urgjentisht për trajtim mjekësor. Pasi e informoi Këshillin e Sigurimit mbi krizën e qytetit pranë Damaskut, të kontrolluar nga rebelët, kryekomisioneri për Çështjet Humanitare, Stephen O’Brien paralajmëroi se, po nuk u veprua shpejt, këta njerëz mund të vdesin.

“Koordinatori humanitar, Yacoub El Hillo ka parë në një spital të Madayas gati 400 vetë, që duhen larguar prej andej me urgjencë. Ne duhet të përpiqemi ta zgjidhim këtë çështje e të sigurohemi, që këta njerëz të marrin sa më parë trajtim mjekësor. Përndryshe, ata janë në rrezik të madh të vdesin nga kequshqyerja apo komplikacionet nga probleme të tjera shëndetësore”, tha Stephen O’Brien, komisioner i OKB-së për Çështjet Humanitare.

Më herët, një autokolonë kamionësh me ndihma solli ushqime në qytetin prej 40 mijë banorësh, të rrethuar prej 6 muajsh tashmë nga forcat qeveritare. Kombet e Bashkuara thanë se kishin marrë raporte të besueshme, që njerëzit në atë vend po vdisnin nga uria.

Pamjet filmike të disa të rriturve e fëmijëve, që thuhet të jenë nga Madaya, me trupat e dobësuar aq shumë sa të kujtojnë kampet naziste të përqëndrimit, kanë qarkulluar prej disa ditësh në internet, si për të kujtuar se çfarë ndodh brenda Sirisë, në një kohë kur pjesa më e madhe e vëmendjes ishte spostuar tek emigrantët sirianë në Europë.

Madaya nuk është i vetmi qytet, ku njerëzit vuajnë urinë ekstreme; tmerrësisht e rëndë paraqitet gjendja edhe në Foah dhe Kefraya, ku gati 20 mijë vetë kanë mbetur të izoluar që prej muajit mars. Kamionë me ndihma u dërguan edhe aty, edhe pse gjatë rrugës pati vonesa. Sipas “Mjekëve pa kufij”, që prej datës 1 dhjetor, në Madaya kanë ndërruar jetë nga uria të paktën 28 persona, përfshirë këtu 6 fëmijë nën moshën një vjeç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA