Guardiola: Lashë Bajernin për të mësuar gjëra të reja

12/01/2016 11:50

Pep Guardiola flet sërish për largimin e tij nga Bajerni i Mynihut. Tekniku katalanas, që së bashku me skuadrën e tij ndodhet në Doha për fazën përgatitore për pjesën e dytë të sezonit, deklaroi se arsyeja që ai vendosi të lërë kampionët e Gjermanisë për të shkuar në Angli është se ai duhet të mësojë gjëra të reja, pa harruar të përmendë edhe Barcelonën.

“Ndoshta do të më kishte pëlqyer të qëndroja 20 vjet te Barcelona. E konsideroj si shtëpinë time dhe ka në përbërje futbollistë të mëdhenj, por unë jam një person të cilit i  pëlqen të mësojë gjëra të reja dhe për këtë arsye unë largohem. Kështu që unë shpresoj që karriera ime të mos mbyllet në Angli. Ndoshta jam edhe kurioz. Nuk e di me siguri. Mund të kisha qëndruar ende te Bajerni. Është klubi perfekt për çdo trajner. I respektoj futbollistët e mi dhe më pëlqen puna e përditshme me ta, por unë jam kureshtar dhe dua të zbuloj për veten time nëse jam i aftë të bëj diçka tjetër”, tha ai.

Destinacioni i mundshëm për Guardiolën, sipas mediave, duket se është Manchester City, por për 45-vjeçarin së fundmi kanë shfaqur interes edhe Manchester United e Chelsea. Por trajneri spanjoll preferon që të mos flasë në lidhje me këtë çështje pasi ende nuk e di se çfarë do të ndodhë. Madje ai u kritikua për deklaratën e tij se dëshiron të drejtojë klub anglez pa përmendur emrin e tij dhe Guardiola deklaroi se nuk dëshironte të fyente askënd, pasi i respekton të gjithë kolegët e tij, siç ka bërë edhe kur ishte futbollist.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA