Drafti i Ministrisë së Drejtësisë, ja propozimet për ndryshimet kushtetuese në sistem

11/01/2016 19:35

Përveç amendimeve kushtetuese për Gjykatën Kushtetuese, ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë janë ndalur edhe tek institucionet e tjera të këtij sistemi. Dikasteri i drejtuar nga Ylli Manjani i LSI propozon që gjyqësori dhe prokuroria të drejtohen nga këshillat respektivë.

Në krye të gjyqësorit është Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, që Ministria e Drejtësisë propozon të përbëhet nga 9 anëtarë të zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të të gjitha niveleve me votim të drejtpërdrejtë.

Ata propozohet të kenë mandat 5-vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Ministria që i ka dhënë këtij këshilli të drejtën e emërimit, vlerësimit, ngritjes në detyrë dhe transferrimit të gjyqtarëve të të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor.

Në krye të organit të akuzës ministria propozon ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ai do të përbëhet gjithashtu nga 9 anëtarë të zgjedhur nga radhët e prokurorëve, me votim të drejtpërdrejtë, propozon ministria, që i lë këtij këshilli të drejtën e emërimit, vlerësimit dhe transferimit të prokurorëve.

Në këto propozime ministria nuk ka prekur fare çështjen se si zgjidhet prokurori i përgjithshëm. Dikasteri i drejtësisë propozon që Gjykata e Lartë të jetë me 17 anëtarë, emërimi i të cilëve të bëhet nga presidenti, me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë – propozon Ministria e Drejtësisë.

Kandidatët e Gjykatës së Lartë, për të cilën ministria propozon reduktimin e çështjeve që ankimohen në të duke i lënë funksionin e dhënies së vendimeve unifikuese, duhet të kenë një përvojë pune si gjyqtar jo më pak se 15 vjet.

Kjo ministri propozon të mos ketë më Gjykatë Administrative, por brenda Gjykatës së Lartë të krijohen tre kolegje që janë: kolegji civil, kolegji penal dhe kolegji administrativ.

Ministria propozon gjithashtu ngritjen e Tribunalit të Drejtësisë, prej 9 anëtarësh të caktuar me short, 6 anëtarë nga Gjykata e Lartë dhe 3 nga Gjykata Kushtetuese, organ i cili do të shqyrtojë ankimimet e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe vendimet për procedimet disiplinore.

Ministria e Drejtësisë propozon krijimin e këshillit të drejtësisë, si organ i planifikimit të strategjive të gjyqësorit dhe prokurorisë, i drejtuar nga presidenti dhe me përbërje drejtuesit e sistemit të drejtësisë.

Ajo që bie në sy në propozimet e Ministrisë së Drejtësisë është çështja e shumëdebatuar e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kjo njësi e specializuar hetimi – propozon MD – duhet të operojë brenda Prokurorisë, por duhet të jetë e pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA