Monika Shoshori Stafa – Prej gati dy dekadash e gjysmë, drejtuesit e lartë politikë në Shqipëri, njëri pas tjetrit e kanë groposur vendin në një humbëtirë të tillë, saqë duket se ky vend ia ka marrë një tatëpjete që po shndërrohet në vdekjeprurëse për të.
Të lodhur duke dëgjuar prej një kohe të gjatë dogmat e secilës klasë ndërsa vjen në pushtet, të tilla si mbi reformimin e çdo sektori publik, arsim apo shëndetësi, energjetikë apo drejtësi qofshin ato; të lodhur e të neveritur sakaq kudo ku frymojnë ndaj fytyrave ogurzeza që u shkatërruan ëndrrat dhe i përbaltën kujtesën historike të të parëve me zhdukjen dhe grabitjen e pronës private, me të cilën mund të arrinin një zhvillim të qëndrueshëm e të drejtë për të jetuar në plotni lirinë e tyre e pa cenuar atë të të tjerëve; të përbuzur fund e krye prej arrogancës makute të disa burrave dhe grave të pushtetshëm të të gjitha partive të paçmontuar dot nga aty ku janë, për shkak të interesave të errëta; të dëshpëruar deri në dhimbje duke parë se si mundohen të kapen fort pas skepticizmit, cinizmit, narcizizmit, vetëkënaqësisë, egoizmit, babëzisë apo dhe oreksit të pashembullt ndaj parasë dhe zilisë ndaj tjetrit; të zemëruar teksa i ndjekin hapat e tyre çdo ditë dhe çdo orë nëpër mediat “tribale” online, duke shpenzuar gjithçka munden vetëm për interesat e tyre, do kisha shumë dëshirë që në këtë moment t’u sillja ndërmend mes këtyre rreshtave shembullin e lirisë së fshatarit të Paskalit.
Paskali e krahason lirinë e çdo njeriu me atë të një fshatari: të korrat varen si nga puna e tij, por po ashtu nga shiu dhe pjelloria e tokës, që nuk i ka ai në dorë. Natyrisht, kuptimi i një frazeologjie të tillë nuk është një dhunti e vetvetishme e njeriut dhe një këshillë e tillë prej të urti nuk do mend që nuk është e lehtë të ndiqet. Sepse fati i qindra mijëra njerëzve sot e kurdo varet nga forca dërrmuese të dukshme dhe të padukshme, materiale dhe jomateriale, financiare ose politike, nga trillet, marrëzitë, dhuna ose dhe shpërfillja e dhjetëra të tjerëve. Dhe kjo do të thotë të mos kesh asgjë në dorë ndaj asaj që përbën thelbin e jetës tënde. Njerëz të tillë mbijetojnë si të munden duke gjetur ndonjëherë pak lumturi të vogël në rrjedhën e fatit të tyre ndërsa ca të tjerë pandehin se shpëtojnë duke u revoltuar. Por a ka më kohë Shqipëria për revoltë? A duhet sot njeriu shqiptar të presë se çfarë kursi pret të marrë sot drejtimi qeverisës i vendit? A kemi më kohë të shohim çfarë ka përtej trysnisë psikologjike që rëndon prej shumë dekadash shqiptarinë?
Por për të kuptuar se çfarë njeriu duhet t’i kërkojë vetes çdo mëngjes, më e pakta prej të gjithave është të njohë terrenin, të njohë Shqipërinë, nismën ose sipërmarrjen ta quajmë si të duash, për të ndryshuar botë dhe mentalitet, d.m.th. të kuptosh se cili është çelësi ta rilindësh atë. Duam pashmangshmërisht t’i besojmë frymës së re që çdo qeveri ofron, por kur kjo frymë e re nuk prek kockën dhe shpirtin e tokës është shumë e vështirë që ajo të ngjisë. Ndaj, secilit nga ne duhet t’i dalë si mësim të kërkojë të njihet me ca shifra, të cilat nesër të mund të jetë ai t’i ndryshojë. Kur flasim për ekonominë ose modelet më të suksesshme në zhvillimin ekonomik e social të një vendi nuk ka asnjë dyshim që secili prej nesh do të kishte sugjerimin e vet befasues. Sepse përtej jetës së rënduar politike dhe gjuhës së ashpër të saj, ajo që mbetet të mendosh në fund të ditës është ëndrra për të jetuar në një vend ku investohet për të nxitur inovacionet, ku të mund të financohen universitetet ekselente, ku të mund të krijohen modele sinergjish mes botës akademike dhe sektorëve industrialë, si vendi ku kërkimi dhe zhvillimi, duhet të dominojë ndjeshëm mentalitetin dhe qëllimet, sidomos të të rinjve.
Çdo vit, Banka Botërore publikon një raport të rëndësishëm ekonomik i cili mat vlerat e konkurrueshmërisë në çdo vend të botës dhe jep rezultatet e pritshmërive ndaj klimës së sipërmarrjeve të suksesshme. Gjatë 13 viteve që nga fillimet e tij, raporti “Doing Business” është bërë një nga botimet më me ndikim të politikës në botë. Ky është një raport vjetor mbi gjendjen e shëndetit të ekonomive, bazuar në një diagnostikim thellësisht të detajuar që nga karakteristika të tilla, si rritja ekonomike e deri vënien në dukje të parametrave të tillë makroekonomike, si borxhi publik. Themelore janë dhe karakteristika të tjera të vulosura, si sistemi rregullator, efikasiteti i burokracisë apo dhe natyra e qeverisjes së biznesit. Rezultatet e një ekonomie në raportin e “Doing Business” janë disi të ngjashme me analizat që kryen njeriu për të njohur masën e përqindjes së proteinave të ndryshme dhe mineraleve që gjenden në gjakun e tij. Mund të mos duket e rëndësishme për vëzhguesit e ndryshëm akoma dhe më shumë për qytetarët e thjeshtë, por ato luajnë role afatgjata mbi një performancë të lartë të zhvillimit të ekonomisë dhe rritjes së saj. Që nga viti 2003 ky raport i Bankës Botërore ka publikuar të dhënat vjetore sasiore mbi kufizimet kryesore rregullatore që ndikojnë në sipërmarrjet vendase të vogla e të mesme, gjatë gjithë ciklit të tyre jetësor. Raporti i këtij viti paraqet të dhënat për 189 ekonomi dhe përmbledhin informacionin e 10 pikave që duhen për të ndërtuar një biznes, duke filluar që nga ato që lidhen me lejet e ndërtimit, pajisjen me energji elektrike, regjistrimin e pronës, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve të vegjël, pagesën e taksave, zhvillimin e tregtisë përtej kufijve, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e paaftësisë së pagave. Këto janë treguesit kryesorë e të domosdoshëm për të parë si shkon forca e sipërmarrjes në një vend të caktuar e më pas krahasimisht shihet dhe rajoni.
Por në raportin e “Doing Bussines” të këtij viti shenjohet se klima e të bërit biznes në Shqipëri ka humbur 35 vende. Dhe ky ishte rezultati me i ulët që Shqipëria kishte njohur ndonjëherë. Ka pasur disa faktorë shpjegon raporti përse Shqipëria kish zbritur në këto shifra dhe kjo sigurisht nuk ka të bëjë aspak me keqqeverisjen, por pikësëpari me ecurinë e ngadaltë të reformave që pasi u anatemuan fort nuk mund të kishin sigurisht qasje të ndryshme. Raporti theksonte se negativisht në klimën e të bërit biznes kishte ndikuar sidomos mungesa e furnizimit me energji elektrike, vështirësitë në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe pagesa e më shumë taksave për kompanitë, si pasojë e rritjes së nivelit të taksës mbi të ardhurat për kompanitë. Por mbeteshin thelbësore dy arsye kryesore; furnizimi me energji dhe transparenca me tarifat e energjisë që shkaktuan humbjen e 7 vendeve për Shqipërinë. Renditja e Shqipërisë gjithashtu është e lidhur edhe me një ritëm më të shpejtë reformash në vende të tjera.
Nëse i hedhim një vështrim të shpejtë listës së vendeve të renditura, ku “Doing Bussines” kryhet më lehtësisht do të vërejmë se ndër 30 shtetet me performancë më të lartë në këtë drejtim nuk janë ato që kanë rregulla më të mira, por ato vende që kanë qeverisje më të mirë e që lejojnë funksionimin efikas dhe transparent të biznesit dhe tregut, në mbrojtje të interesit publik. Përveç kësaj, ekonomitë që kapin shifra të larta në treguesit e “Doing Bussines” kanë tendencë të ecin mirë edhe në sektorët e tjerë të të dhënave ndërkombëtare, siç është Treguesi Global i Konkurrueshmërisë dhe Treguesi i Transparencës Ndërkombëtare mbi perceptimin e korrupsionit në vendin përkatës. Singapori vazhdon të jetë ekonomia me rregullat më miqësore për sipërmarrjen dhe biznesin. Dhe ndërsa ka pasur disa riorganizime prej ekonomive të 20 vendeve me perfomancë më të shkëlqyer ndaj lehtësimit të të bërit biznes, lista mbetet ende shumë e ngjashme me atë të vitit të kaluar: 18 vende vazhduan të qëndrojnë në të njëjtën renditje edhe për këtë vit. Sukses njohën çuditërisht dy vende të tjera, si Lituania dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Në raport thuhet se Banka Botërore në Maqedoni ka vlerësuar sidomos reformat e ndërmarra deri tani në lehtësimin e “Doing Bussines”.
Si duhet të arrihet një rankim i lartë i Shqipërisë në raportin e përvitshëm të “Doing Business”? A është e drejtë të pohojmë se mediat dhe politikëbërësit duhet të “lexojnë më shumë” mbi renditjen e “Doing Business”? Në fakt, shumica e retorikës hiperbolike mbi rëndësinë e renditjes të të bërit biznes ka ardhur nga vetë Banka Botërore. Promovimi i historive të suksesit ka qenë në qendër të pretendimeve se ky është një lloj i ndryshëm sondazhi dhe që nëse vendet e varfra këto shifra i marrin seriozisht, ato kanë gjasa t’i shpëtojnë varfërisë brenda pak viteve.
Në të vërtetë shumë njerëz nuk i realizojnë dot ëndrrat e tyre. Ata nuk do të bëhen kurrë ekonomistët ose artisët që kanë ëndërruar. Disa të tjerë heqin dorë dhe për gjithë jetën lënë të tjerët të merren me fatin e tyre. Por ka dhe të tjerë, të cilët si konsumatorë të politikës, do të bëhen gjithmonë e më kërkues ndaj saj duke aspiruar në përjetësimin e sistemit ekzistues dhe duke kërkuar nga ai punë, shtim të të ardhurave dhe subvencioneve, gjithmonë kokulur dhe pretendues. Ndaj, si pjesëmarrëse për herë të dytë e mbrëmjes Gala “Bleta e Artë” në vlerësimin e sipërmarrjeve më të suksesshme shqiptare të 2015, përtej gjithçkaje thuhet në një vit dhe rënies së pozicionit të Shqipërisë gjatë vitit 2016 në “Doing Bussines” në vendin e 97-të, vlerësohet motivimi që i bëhet rolit dinamik të sipërmarrjes në ekonominë e vendit; edukimit me shijen e ambicies; si dhe disiplinës ndaj standardeve që duhen kapur. Por mos na dalë nga mendja se që të arrihet kjo, si një e tërë, duhet që gjithkush nga ne, të edukojë e të kultivojë, ku është e mundur, por sidomos mes të rinjve, shprehjen çelës: “të mësosh sipërmarrjen“. Nuk është e thënë që fjala sipërmarrës, do të thotë të hapësh një biznes apo diçka që ka të bëjë me tregtinë, paranë. Në një kuptim tjetër fjala sipërmarrje, do të thotë se çdo banor i këtij vendi duhet të japë çdo ditë prova kreativiteti e inovacioni për të garantuar mbijetesën dhe zhvillimin. Sepse shpirti sipërmarrës nxitet dhe mbështetet dhe nga elementë të tjerë kulturorë e tradicionalë, si kultura e disiplinës, e komunikimit në grup dhe e përgjegjësisë për fatin e vendit dhe të ardhmen e tij.
Gazeta “Shqip”
Top Channel