Pas konsensusit të arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit Lu dhe koleges së tij të BE-së, Romana Vllahutin, ekspertët e nivelit të lartë u rikthyen në tavolinën e diskutimeve.
Pas katër orë diskutime i vetmi nga ekspertët që pranoi të fliste ishte Gent Ibrahimi.
“Iu rikthyem parimeve të mënyrës së të punuarit, në një kohë që kishim arritur diku me produktin. Është lodhje shtesë, por nëse i shërben marrëveshjes…Çështjet do të merren nga e para dhe të gjitha palët të kenë mendimin e tyre se cila është mënyra më e mirë për të paraqitur vërejtjet dhe sugjerimet e Venecias në draft”, tha ai.
Eksperti Ibrahim sqaroi se cilat janë cështjet për të cilat nuk ka dakortësi.
“Ne po identifikojmë pozicionet ku jemi dakor dhe pozicionet ku jemi në qëndrime të kundërta. Aty ku jemi në qëndrime të njëjta, formulimet e kemi gati, aty ku ka qëndrime të kundërta do të duhet që secili grup të paraqesë formulimin e vet dhe do të përpiqemi t’i unifikojmë. Në rast të kundërt do shkojmë me dy formulime. Ka disa momente, formula e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, formula e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të këshillave gjyqësore dhe prokuroriale, çështje që kanë të bëjnë me mënyrën e krijimit dhe organizimit të njësisë së posaçme antikorrupsion. Shumica e cilësuar është një çështje gjithashtu”, sqaroi Ibrahimi.
Ekspertët janë të vendosur për të vijuar në mënyrë intensive me diskutmet e për të arritur një produkt final për të cilin fjalën e fundit do ta ketë Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi.
Top Channel