Manjani-prokurorëve: Hetoni zyrtarët. Nëse nuk keni kurajë, reforma pa efekt

09/01/2016 10:30

Atëherë kur të gjithë presin që reforma në drejtësi të bëjë çudira, jo vetëm kundër korrupsionit por edhe kundër krimit, në mbledhjen e parë të Unionit të Prokurorëve, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani kërkoi që ata të vijojnë të jenë aktivë dhe kurajozë në hetime.

Kjo kërkesë e ministrit Manjani ishte veçanërisht e fokusuar tek hetimet ndaj zyrtarëve e ministrave.

“Nuk kemi pse t’i vendosim vetes afate që në këtë apo atë kohë do të ndodhë diçka. Jo, zotëri. Ftesa ime për prokurorët ka qenë dhe mbetet e qartë: zbardhni dosjet dhe bashkë me to dhëmbët ndaj çdo zyrtari që abuzon, qofshin ministra apo çdo gjë tjetër. Nëse prokurorët stepen para abuzuesit, atëherë nuk ka reformë që i bën fajde kësaj gjëje”, deklaroi Manjani.

Edhe prokurorët që janë pjesë e unionit bënë kërkesat e tyre për reformën në drejtësi dhe njoftuan se do të depozitojnë së shpejti rezervat e tyre për disa nga propozimet për amendimet kushtetuese.

Kreu i unionit, Ndini Tavani, i njësisë task forcë në Prokurorinë e Tiranës, shprehu këndvështrim të njëjtë me rekomandimet paraprake të Komisionit të Venecias.

“Unioni, duke përkrahur reformën në drejtësi dhe duke qenë i bindur për nevojën e realizimit të saj, nuk mund të mos shprehë shqetësimin për pjesë të veçanta të kësaj ndërmarrjeje dhe nevojën për t’u bërë pjesë në hartimin dhe draftimin e këtij projekti madhor”, deklaroi Tavani.

Më tej, ministri Manjani sqaroi edhe njëherë se një nga synimet e reformës është ta kthejë prokurorin në një zot të dosjes.

“Dhe jo të hyjmë në piramidën e sekretarit të prokurorit me sekretarin e policit gjyqësor, polici gjyqësor tek shefi… Iku, ka dalë dosja në gazetë. Por për këtë nuk është faji juaj”, nënvizoi Manjani.

“Unioni kërkon që etiketimet negative për trupën e prokurorëve të ndalen për të mos cënuar punën e përditshme të tyre”, tha ndër të tjera Tavani.

“Edhe nëse ka patur kritikë për ju, kjo është kritika, jua them unë me dy fjalë: krimi në rrugë dhe krimi në zyrë duhet të ndëshkohen, nga unë i pari”, përfundoi fjalën e tij ministri i Drejtësisë. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA